Shqiptari kapet me kokainë me vlerë tregu 3 milion euro

Një shqiptar 36-vjeçar, me banim në Itali është vënë në pranga nga autoritetet policore italiane të Ankonës me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike e rezistencë ndaj forcave të rendit.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 21.5 kg kokainë mjaft e pastër që sipas autoriteteve italiane kishte destinacion tregje të ndryshme të shitjes ilegale në territorin kombëtar e me një përftim rreth 3 milionë euro.

Kokaina ishte e konfeksionuar në 20 pako dhe fshehur në një valixhe që u gjet në bagazhin e një automjeti.

Guardia di Finanza e Ankonës informon se operacioni është ekzekutuar më datë 6 janar 2022, por për motive hetimi që janë ende në fazë paraprake, është bërë publik mëngjesin e sotëm.

Operacioni është ekzekutuar në territorin e komunës së Sant’Elpidio (Fermi) në provincën e Ankonës, pas identifikimit të një automjeti që në orët e para të mëngjesit (mjaft herët) udhëtonte me shpejtësi shumë të lartë.

I ndjekur në distancë nga një patrullë e Guardia di Finacës, është verifikuar se drejtuesi shqiptar i tij, ka ndaluar pranë një makine tjetër të parkuar, ka marrë nga bagazhi i saj dy pako te vogla, e po me shpejtësi është larguar me automjetin e tij.

Patrulla e Guardia di Financës me dyshimin se po kryente një grabitje i kanë kërkuar të ndaloj. Shqiptari nuk i është bindur urdhërit, është përplasur me automjetin e policisë e ka shtuar shpejtësinë.

Pas disa minuta ndjekjeje, në rrugët e Sant’Elpidio, të ngjashme me një film aksioni, financierët italianë kanë mundur të bllokojnë shqiptarin në afërsi të qendrës së qytezës.

Guardia di Finanza ka rekuperuar dy pakot me kokainë të hedhura në rrugë nga dritarja e mjetit në lëvizje, e më pas kanë zbuluar në bagazhin e automjetit tjetër të parkuar, një valixhe brenda së cilës ndodheshin 18 pako të tjera kokainë.

Pesha totale e kokainës së sekuestruar është 21.5 kg e cilësia e saj është mjaft e pastër.

Finanza italiane informon se sasia e madhe e drogës së kapur është tregues se destinacioni i tregtimit të saj nuk ishte vetëm komuna e Sant’Elpidio e territori përreth, por tregje të ndryshme.

Vlera përfituese e kokainës, sipas komunikimit zyrtar të Financës do t’i sillte trafikante një fitim rreth 3 milionë euro.

Është ky sekuestrimi më i madh i kokainës i gjatë viteve të fundit në territorin e rajonit Marche.