Policia e Kosovës arreston kreun e PSD-së

Kreu i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj është arrestuar të martën në mbrëmje nga Policia e Kosovës afër zyrave të një televizioni të Kosovës, para një paraqitjeje televizive.

Policia e Kosovës ishte duke e kërkuar Molliqajn që nga dita kur u mbajt protesta e partisë së tij kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Në protestën nuk pati incidente, megjithatë më vonë doli një video ku shihej Dardan Molliqaj teksa godet me shuplakë një zyrtar policor, njoftojnë mediat në Kosovë.

Për arrestimin e Molliqajt kanë reaguar krerët e partive opozitare në Kosovë.

Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur “të papranueshëm” arrestimin e tij, duke thënë se kryeministri Albin Kurti po përdor Policinë e shtetit “për hakmarrje politike”.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë në një emision televiziv në Kosovë se arrestimi i Molliqajt para se të hynte në zyrat e televizionit është “i çuditshëm”.

“Policia e Kosovës dhe Prokuroria i ka procedurat e parapara për këto raste nëse ka shkelje të ligjit, mendoj se nuk kanë mund ta arrestojnë, por kanë mund ta dërgojnë një ftesë. Çështja e arrestimit është pak e çuditshme për mua. Kauza e protestës ishte mjaft e drejtë për rritjen e shtrenjtimit të rrymë”, tha Haradinaj.

Dardan Molliqaj ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Albin Kurtit në Lëvizjen Vetëvendosje, para se të largohej që t’i bashkohej PSD-së.

Ai ka mbajtur postin e sekretarit organizativ në këtë parti.