Politikanët shqiptare si mite abstrakte

Nga Redi Shehu

Antagonizmi  politik mes Ramës e Bashes, është realisht një mit që i ngjan ikonografisë komike. Një mit i vaditur kryesisht nga kapitullimi i ndërgjegjes sonë politike dhe vetë asaj çka ne quajmë “politikë” apo përpjesëtim të njëri-tjetrin në mëkat mes dy drejtuesve të organizatave më të popullarizuara politike në vend. Rama dhe Basha shihen si suplemente apo përplotësues të njëri-tjetrit, ku njëri pa tjetrin nuk merr kuptim.

Duhet ekzistenca e bëmave të secilit që ti japë kuptim bëmave të tjetrit dhe anasjelltas. Pra,  një opozitë e cila është e dënuar të qëndrojë në centifugën e të keqes më të vogël, e cila shihet si shpëtim dhe që më vonë kthehet në të keqen më të madhe që duhet zhbërë sa më shpejt.

Drama e çdo epoke qëndron jo te mos-leximi i shenjave të kohës, por te leximi i gabuar i tyre. Tek injorimi i kontekstit në të cilin zhvillohet njeriu politik në realitetin tonë.Mospasja e një kulture politike demokratike të trashëgueshme e cila vjen nga historia, me një klasë politike (aristokraci politike) të denjë, bën që politikanët kryesorë tanët të jenë njerëz që improvizojnë në politikë, dhe për rrjedhojë, improvizojnë  në pushtet dhe  improvizojnë edhe në opozitë. Pra, shpesh opozitarizmi ynë karakterizohet nga improvizimi i cili më së shumti është parë si mjet utilitar për të zgjidhur boshllëkun e radhës.

Duke qenë të gjithë krerët e partive politike shqiptare vijnë jo nga një kulturë dhe arsimim politik, pra janë të tipit “bëje mirë, bëje vetë”  apo të tipit  “mos rri po duku” , Berisha, Basha  Edi Rama dhe Ilir Meta, vijnë nga e njëjta origjinë koincidencë në politikë, edhe pse kanë arritur të marrin vota, ata nuk kanë arritur ta perfeksionojnë veten në politikat e duhura të një proçesi demokratik të mirëfilltë.

Për të justifikuar ekzistencën e tyre rastësore në politikë, liderët tanë mbajnë  një nivel debati ose të ulët, ose ekskluzivisht të ndërlikuar politik.  Shpesh me sllogane populiste të cilat ashpërsohen në stinët elektorale. Retorika e tyre në raport me masat e të varfërve (të cilët fatkeqësisht janë edhe shumica e elektoratit në partitë e tyre) është mbi të gjitha demagogjike dhe e udhëhequr nga improvizime të momentit sa për të fituar kredit të përkohshëm në garën se cili grup mbështetësish të pasur do të marrë në dorë frenat e qeverisjes së vendit.

Maxhoranca, së pari krijon mjedisin e duhur për veten e vet, dhe e “ishullon” çdo tendencë të opozitës për konflikt. Këtë qeveritë e kanë bërë duke u përpjekur të rrethohen gjithmonë politikisht nga vetvetja. Pra, që të influencojnë opozitat me mijëra mënyra të qeverisjen duke fishkur forcën reaguese të saj. Opozita është lënë që të përjashtohet rëndom nga të gjitha format e konsultës politike dhe të qeverisjes, edhe kur janë në pyetje interesat vitale të shtetit. Ajo stigmatizohet si armiqësore, sepse rotaciomi i pushtetit, veçanërisht, përjetohet si deklasim i një klase, mundje dhe për pasojë, edhe stigmatizim dhe kërcënim për burgosje.

Shohim që opozitat e sotme nuk rikonstruktohen mi bazën e një analize të vërtetë të humbjeve të tyre elektorale, mbi shkaqet se pse erdhën në opozitë. Në formë gati të “pafajshme” kërkojnë që përsëri fajin ta ketë “tjetri” politikisht. Herë direkt, dhe ca më shpesh indirekt, akuzojnë kundërshtarin për manipulim, ndërsa zgjedhësit si ca gjynahqarë të mashtruar e të gënjyer, të cilët pranuan të shesin votën ose për njëqind euro, ose për një thes me miell…Ky lloj opozitarizmi që e kërkon fajin jashtë vetes, jo vetëm që nuk është premtues për një përmirësim të mundshëm por heq shpresën për një pjesëmarrje vitale të elektroatit në proçeset politike.

Krerët e politikës së vendeve të vogla të rajonit, ku përfshihet Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, por përjashtim nuk bëjnë edhe vende të tjera, janë pseudonime të interesave që ata përfaqësojnë, pra me pak fjalë janë edhe pseudonime të pushtetit apo opozitave që përfaqësojnë. Qëndrimet e tyre janë të kushtëzuara nga interesat që i mbështesin, financojnë dhe i mbrojnë ata në pushtet apo në opozitë.

Nuk ka debat ideologjik nëse një politikë e caktuar ekonomike është e drejtë apo jo, por ka debat mbi atë se cili duhet ta bëjë këtë privatizim, shitje apo konçesion dhe opozitat këtu luajnë rolin e atij që do shtie në dorë këtë proces, dhe për këtë përdor metafora denigruese  ndaj pushtetit. Mosmarrëveshjet e vetme, mbeten ato teknike dhe proçedurale dhe asnjëherë nuk diskutohet thelbi: I shërben apo jo qytetarit të varfër që ne të ndërmarrim këtë hap, apo që ne ta bëjmë këtë lëshim?

Më kot zgjedhësit shqiptar mundohen të lexojnë shëmbëlltyrën e liderëve të vet politikë. Shprehjet e tyre, gjuha e trupit dhe e syve të tyre nuk thotë asgjë. Në pushtet është e vështirë të deshifrosh metaforën, dhe në opozitë është e vështirë të kuptosh se si do realizohet ajo çka ata thonë. E vetmja gjë e cila nuk shëmbëllen si mit, është fakti se liderët tanë politikë, duket se funksionojnë në një marrëveshje të heshtur për t’i lënë njëri-tjetrit trashëgim ekskluzivitetin mbi brejtjen e ngadaltë të vendit.