Presidenti Biden uron presidenten e Kosovës me rastin e përvjetorit të pavarësisë

Biden ka shkruar se lidhjet ndërmjet popullit amerikan dhe atij kosovarë mbeten të forta dhe të bazuara në përkushtim të përbashkët “për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës”

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ka shkruar letër urimi ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanin, me rastin e 13 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në letrën e presidentit amerikan e cila u publikua nga presidenca kosovare, Biden ka shkruar se lidhjet ndërmjet popullit amerikan dhe atij kosovarë mbeten të forta dhe të bazuara në përkushtim të përbashkët “për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe për forcën tuaj të qëndrueshme si një vend sovran, i pavarur, multietnik dhe demokratik”.

Biden ka theksuar se presin që të punojnë me qeverinë e ardhshme kosovare për ta çuar Kosovën në rrugën e saj evropiane.

“Ka shumë punë për të bërë, përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë, me të cilën forcohet sundimi i ligjit, përballimi i pandemisë globale COVID-19 dhe nxitja e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të prosperuar për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letrën e presidentit Biden, ku theksohet se SHBA mbetet partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës në këto përpjekje.

Duke folur në aspektin personal, presidenti amerikan Biden ka thënë se Kosova vazhdon të mbajë një vend të veçantë për familjen Biden.

“Ndërkaq, për mua personalisht, Kosova vazhdon të mbajë një vend të veçantë për familjen Biden, në shenjë respekti të kohës gjatë së cilës djali ynë i ndjerë Beau Biden punoi për ta siguruar paqen, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës për të gjithë qytetarët e Kosovës”, shtoi ai.

Kosova nesër, më 17 shkurt, feston përvjetorin e 13-të të pavarësisë të cilën e shpalli në vitin 2008.

Lajme të ngjashme