Liderë botërorë urojnë popullin kosovar për përvjetorin e 13-të të pavarësisë

Pas presidentit amerikan, Joe Biden, Osmani është uruar edhe nga Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth II, presidenti gjerman, Frank- Walter Steinmeier, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe presidenti italian, Sergio Mattarella

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar telegrame urimi nga liderë botërorë me rastin e 13 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bëhet e ditur nëpërmjet një komunikate nga Presidenca e Kosovës, pas presidentit amerikan, Joe Biden, Osmani është uruar edhe nga Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth II, presidenti gjerman, Frank- Walter Steinmeier, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe presidenti italian, Sergio Mattarella.

– Presidenti Biden uron presidenten e Kosovës me rastin e përvjetorit të pavarësisë

Mbretëresha Elizabeth II në telegramin e saj ka uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, duke shfaqur shpresën për tejkalimin e sfidave nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19).

Presidenti gjerman në telegram ka potencuar progresin e Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, si dhe në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Ndërkaq, oresidenti francez duke uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, ka potencuar rëndësinë e rifillimit të dialogut me Serbinë. Macron në mesazhin e tij theksoi se mbështet plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) me synim arritjen e “një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme” të Kosovës me Serbinë.

Duke përgëzuar popullin e Kosovës në përvjetorin e pavarësisë, edhe presidenti italian ka potencuar mbështetjen për procesin e dialogut me Beogradin.

Osmani ka pranuar telegrame urimi edhe nga mbreti i Suedisë, Carl Gustaf R, mbreti i Belgjikës, Philipe Roi des Belges, presidenti i Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin dhe presidenti kroat, Zoran Milanoviq.

Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Parmelin, ka përmendur marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve dhe ka shprehur kënaqësinë që ky bashkëpunim vazhdon të thellohet pavarësisht rrethanave të krijuara nga pandemia.

Edhe presidenti kroat ka përmendur sfidat e shkaktuara nga pandemia, duke shfaqur gatishmërinë e shtetit të tij për ta mbështetur Kosovën në rrugën e integrimit evropian.

Kosova nesër më 17 shkurt feston përvjetorin e 13 të pavarësisë.