Presidenti i FSHF thotë se bastet duhet të legalizohen

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka deklaroi se bastet sportive në vend duhet të legalizohen.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Duka tha se ka ardhur koha që sporti të përfitojë një pjesë të të ardhurave që vijnë nga bastet.

“Fakti është që bastet sportive në Shqipëri luhen dhe nuk është iniciativa jonë për të hapur bastet në Shqipëri. Ajo që kemi kërkuar, përderisa jemi para një fakti që një aktivitet i paligjshëm, pa taksa, pse mos të jenë ligjore, të legalizohen.

Një pjesë e tyre të shkojnë për një të mirë publike që është sporti. Për ne është mirë që të marrim një pjesë e të ardhurave. Kur jemi para faktit që ky aktivitet ekziston, padyshim që jam insistues që futbolli të marrë pjesë të të ardhurave”, u shpreh ai.

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama zhvilloi një dëgjesë publike për rikthimin e basteve online, e organizuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).

Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli u shpreh pro hapjes së basteve pasi ndihmon ekonominë.