Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, priti në një takim presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, i cili ishte i ftuar nderi në samitin e liderëve të Procesit Brdo-Brijuni, që u zhvillua në Tiranë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas ceremonisë shtetërore të mirëseardhjes në Presidencën e Shqipërisë, Meta dhe Duda zhvilluan një takim kokë më kokë dhe një takim mes dy delegacioneve.
“Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira e miqësore midis dy vendeve e popujve, që siç theksoi janë shumë më të thella në histori se marrëdhëniet diplomatike. Duke u ndalur tek marrëdhëniet dypalëshe, presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e dhënë nga Polonia në fushat e arsimit, sportit, kulturës, inovacionit, mbrojtjes dhe administratës publike”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.
Duke u ndalur në zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, presidenti i Shqipërisë ka nënvizuar gjatë takimit me homologun polak se një nga çështjet më urgjente mbetet çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Më tej theksohet se dy homologë ndanë mendimin se më shumë duhet bërë në drejtim të nxitjes së bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën e turizmit.
Kujtojmë se në kuadër të samitit të radhës të Procesit Brdo-Brijuni, Meta zhvilloi dje takime edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryesuesin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH), Milorad Dodik dhe anëtarin Presidencës së BeH-së, Shefik Xhaferoviç, si dhe me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.


