Presidentja kosovare zhvilloi takime në Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe në Departamentin amerikan të Shtetit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me zyrtarë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Shteteve të Bashkuara (SHBA) si dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet në një njoftim nga Presidenca e Kosovës, në Këshillin e Sigurisë të Shtëpisë së Bardhë, Osmani takoi zëvendëskëshilltarin për siguri kombëtare, Jonathan Finer, drejtoreshën e lartë për Evropën në këtë Këshill, Amanda Sloat, si dhe drejtoreshën për Ballkanin dhe Evropën Qendrore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Robin Brooks.

Osmani ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të fuqishme Kosovë-SHBA dhe nevojën për angazhim të vazhdueshëm për harmonizim të mëtjemë të prioriteteve të përbashkëta strategjike për forcimin e sundimit të ligjit, sikurse edhe sigurimin e paqes e sigurisë së qëndrueshme në rajon.

Presidentja kosovare po ashtu ka theksuar rëndësinë e kësaj aleance disadekadëshe dhe ndikimin pozitiv që ajo ka pasur tek qytetarët e Kosovës, duke thënë se sukseset e Kosovës erdhën si rezultat i vullnetit të fortë dhe qëndrueshmërisë së popullit të saj, por edhe shkaku i investimit të rëndësishëm të SHBA-së dhe përkushtimit ndaj demokracisë.

Zyrtarët e Këshillit të Sigurisë kanë deklaruar se presidenti i SHBA-së është personalisht i përkushtuar ndaj Kosovës dhe se Kosova ka mbështetje të fortë nga administrata e presidentit Biden. Ata kanë shprehur mirënjohjen e tyre të thellë për Kosovën që ka pritur shtetas afganë.

Presidentja Osmani është takuar edhe me Ndihmëssekretaren e Shtetit, Karen Donfried, dhe Zëvendës-Ndihmëssekretarin kryesor, Dereck Hogan.

Në takim, të dyja palët kanë vlerësuar lart raportet Kosovë-SHBA si dhe partneritetin e thellë mes dy vendeve.

Presidentja Osmani ka vënë theks në zhvillimet e fundit në rajon, duke potencuar tendencat destabilizuese të Serbisë, por edhe “prezencën gjithnjë e më të rrezikshme të Rusisë e Kinës”. Në këtë aspekt, ajo ka bërë thirrje për mbështetje të SHBA-së në luftimin e këtij ndikimi të rrezikshëm dhe angazhimin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, thuhet në njoftim.

Osmani ka theksuar përkushtimin e plotë të Kosovës për angazhim aktiv në dialogun Kosovë-Serbi, i cili siç është thënë edhe nga Biden, duhet të jetë i përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

Ajo ka deklaruar se e ardhmja euroatlantike e Kosovës mbetet përherë objektiv strategjik, duke potencuar se në këtë drejtim, Kosova sërish ka nevojë për mbështetjen e SHBA-së drejt konsolidimit të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës.

Siç njoftohet më tej, ajo ka marrë konfirmim për mbështetjen e palëkundur të SHBA-së dhe përkushtimin aktiv për arritjen e synimeve të përbashkëta.