Presidentja Osmani kundërshton ndryshimin e kufijve në Ballkan

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin bilateral dhe rajonal, liberalizimin e vizave, rrugën evropiane të Kosovës si dhe anëtarësimin në NATO.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdën e takimeve në kuadër të Samitit të presidentëve të shteteve të rajonit Brdo-Brijuni, ka zhvilluar një takim me homologun e  Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Të dy presidentët i kanë vlerësuar të mira marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kanë potencuar se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe pakica malazeze në Kosovë janë urë lidhëse.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin bilateral dhe rajonal, liberalizimin e vizave, rrugën evropiane të Kosovës si dhe anëtarësimin në NATO.

Përfaqësuesit e të dyja shteteve kundërshtuan qartë idetë për ndryshimin e kufijve në rajon, ndërsa shfaqën shqetësimin për rritjen e ndikimit të Rusisë në Gadishullin e Ballkanit.

Në takimin ndërmjet të dy presidentëve, u disktua gjithashtu edhe për thellimin e bashkëpunimit në sferën e turizmit, kulturës, arsimit dhe shkëmbimit ekonomik e tregtar.