‘Presim hapa konkrete për eliminimin e pranisë së FETO-s në Maqedoninë e Veriut’

Ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, theksoi se edhe në periudhën e ardhshme me vendosmëri do të vazhdojnë punën e tyre kundër strukturës së FETO-s jashtë vendit

Ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, theksoi se presin hapa konkrete nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për eliminimin e pranisë së organizatës terroriste FETO nga ky vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori Sekizkök në rezidencën e ambasadës në Shkup organizoi një konferencë për media me rastin e 15 Korrikut – Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, ku gjithashtu iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Ai duke rikujtuar se kanë kaluar 4 vite nga tentativa për grusht shteti e 15 korrikut, e kryer nga pjesëtarët e infiltruar të organizatës terroriste FETO brenda Forcave të Armatostura Turke (TSK), përkujtoi me mëshirë të gjithë dëshmorët dhe ofroi mirënjohjen e tij për veteranët.

Sekizkök theksoi se 15 korriku ka shfaqur kërcënimin e madh që ka krijuar organizata terroriste FETO. “Pjesa më e madhe në eleminimin e këtij kërcënimi i takon popullit turk, i cili nuk njeh asnjë fuqi mbi vullnetit të tij, është i gatshëm të japë jetën për të mbrojtur shtetin dhe përfitimet demokratike”, u shpreh ai.

Ai tha se një ndër përparësitë kryesore të shtetit të Turqisë në 4 vitet e fundit është lufta kundër FETO-s brenda dhe jashtë vendit, ndërsa potencoi se bazuar në sundimin e ligjit, përgjegjësve për 15 korrikun brenda vendit iu është mundësuar që të japin llogari para drejtësisë.

Ambasadori deklaroi se është deshifruar struktura organizative e FETO-s brenda institucioneve shtetërore, duke tërhequr vëmendjen se kanë nisur proceset administrative dhe gjyqësore ndaj pjesëtarëve të FETO-s, është shkatërruar Struktura e Shtetit Paralel të organizatës terroriste, janë eliminuar strukturimet paravane të FETO-s të cilët janë përhapur në të gjitha fushat e ekonomisë, jashtë institucioneve shtetërore si nga arsimi deri në media dhe sektorin bankar.

Ai vuri në dukje se pasi FETO-s i është dobësuar struktura brenda Turqisë, ajo ka shkuar në një strategji të re dhe ka filluar të përqëndrohet në aktivitetet jashtë vendit.

“Lufta kundër strukturës të FETO-s jashtë vendit vazhdon të jetë një ndër pikat më me prioritet të agjendës së Turqisë. Në kontakte që zhvillojmë me homologët tanë të huaj theksojmë se aktivitetet e FETO-s në aspektin e vendeve tjera përbëjnë kërcënim sigurie. Zbulohet se kjo organizatë terroriste synon t’i krijojë vetes fusha politike dhe ekonomike, ndërsa punon si një organizatë kriminale dhe e inteligjencës. Janë vendosur gjithashtu edhe masa administrative dhe procese gjyqësore me qëllim të ngushtimit të zonës së aktivitetit të organizatës terroriste FETO jashtë vendit, ndalimit të aktiviteteve të tyre, parandalimit të ikjes së anëtarëve të tyre nga drejtësia dhe transferimi i parave”, vlerësoi ambasadori turk.

Ambasadori gjithashtu rikujtoi se nga vendet ku gjenden anëtarët e FETO-s, në strukturën jashtë vendit, ndaj të cilëve janë hapur hetime në Turqi, është kërkuar që të deportohen. Ai tha se gjithashtu vazhdojnë punimet në drejtim të kërkesës për ngrirjen e pasurive të personave dhe institucioneve të organizatës terroriste jashtë vendit, të cilët i sigurojnë financim organizatës terroriste.

Sekizkök rikujtoi se katër parti që kanë grup parlamentar në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë (TBMM) vitin e kaluar kanë publikuar një deklaratë të përbashkët ku kërkojnë deportimin e anëtarëve të FETO-s, përfshirë edhe liderin e tyre Fetullah Gülen.

Ai gjithashtu theksoi se vazhdojnë iniciativat për mbylljen e institucioneve arsimore të lidhura me FETO-n jashtë vendit, pastrimin e tyre nga FETO dhe transferimin në Fondacionin Turk Maarif (TMV).

“FETO e cila mund të cilësohet si një organizatë terroriste e gjeneratës së re, nuk është një lëvizje popullore që merret me punë arsimore dhe bamirësie, ashtu siç mundohet të promovojë veten, por megjithëse vonë ka filluar të kuptohet në plan ndërkombëtar se është një organizatë e errët dhe tinëzare që ka ambicie politike dhe ekonomike”, u shpreh ai.

“Presim hapa konkrete për eliminimin e pranisë së FETO-s në Maqedoninë e Veriut”

Sekizkök theksoi se edhe në periudhën e ardhshme me vendosmëri do të vazhdojnë punën e tyre kundër strukturës së FETO-s jashtë vendit.

“Me këtë rast duam të theksojmë se presim hapa konkrete nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për eliminimin e pranisë së FETO-s në këtë vend. Mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut ka konsesus në lidhje me përforcimin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit. Është e rëndësishme që me masat që do të merren të përfundohen aktivitetet e elementeve të FETO-s dhe personave të lidhur me FETO-n në Maqedoninë e Veriut të cilët në këtë vend veprojnë nën maskën e institucionit arsimor, kompanisë, shoqatës dhe mediave”, theksoi ambasadori Sekizkök.

Në lidhje me pyetjen vallë ka ndonjë zhvillim për deportimin e 15 anëtarëve të FETO-s për të cilët Turqia ka bërë kërkesë nga Maqedonia e Veriut, ambasadori tha se “me aq sa e di, nuk ka ndonjë përparim”.

Në lidhje me pyetjen për hapjen e Ajasofjes për faljen e namazit, duke rikujtuar vendimin e gjykatës së lartë administrative të Turqisë si dhe deklaratat e presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, ambasadori Sekizkök tha se nëse shqyrtohet me vëmendje vendimi dhe fjalimi i presidentit Erdoğan, “gjenden përgjigje gjithëpërfshirëse për çdo pyetje të mundshme”.

Në kuadër të konferencës për media gazetarët gjithashtu patën mundësinë të shohin ekspozitën nga tentativa për grusht shteti me fotografitë e AA-së.