Turqia ka kërkuar ekstradimin e anëtarëve të FETO-s nga 105 vende

Mbi 100 anëtarë të FETO-s në 27 vende janë dorëzuar deri më tani në Turqi

Ministria e Drejtësisë e Turqisë ka kërkuar ekstradimin e 807 anëtarëve të Organizatës terroriste FETO, grupi që qëndron pas grusht shtetit të mposhtur të vitit 2016, nga 105 vende përfshirë SHBA, Gjermani, Rumani dhe Belgjikë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas këtyre kërkesave, 116 anëtarë të FETO-s në 27 vende u dorëzuan në Turqi.

Ankaraja dërgoi gjithsej 856 dosje ekstradimi në shtetet përkatëse për 807 anëtarë të FETO-s në 105 vende.

Deri më tani, Turqia kërkoi ekstradimin e 156 anëtarëve të FETO-s nga SHBA dhe 257 të tjerë nga shtetet e Bashkimit Evropian (BE).

Midis shteteve anëtare të BE-së, numri më i madh i kërkesave i është bërë Gjermanisë për 77 anëtarë, Greqisë për 64 dhe Belgjikës për 36.

Turqia kërkoi nga Gjermania ekstradimin e ish-prokurorëve Zekeriya Öz dhe Celal Kara si dhe Adil Öksüz’, një nga krerët e FETO-s.

Nga SHBA, Turqia kërkoi ekstradimin e kreut të FETO-s, Fetullah Gülen, dhe ndihmësit të tij të ngushtë Cevdet Türkyolu, mjekut të tij privat, Kudret Ünal, Ekrem Dumanli, Emrullah Uslu, Hakan Şükür si dhe İhsan Kalkavan.

Përveç kërkesave për ekstradim, Ministria e Drejtësisë kërkoi gjithashtu arrestime të përkohshme të menaxhmentit të lartë dhe anëtarëve të grupit terrorist jashtë vendit.

Turqia dërgoi kërkesa për arrest të përkohshëm për 163 anëtarë të FETO-s në 56 vende.

Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA, Fetullah Gülen, orkestruan grusht shtetin e mposhtur të 15 korrikut 2016, në të cilin ranë 251 dëshmorë dhe afro 2.200 të tjerë u plagosën.

FETO qëndron pas një fushate të gjatë për rrëzimin e shtetit përmes infiltrimit të ithtarëve të saj në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.