Projektet për Posta Shqiptare, para elektronike dhe magazinë doganore

Posta Shqiptare do të duhet të ndërmarrë një sërë projektesh, me qëllim adoptimin e zhvillimeve të reja në kuadër të tregtisë elektronike. Gjithçka bazohet në Dokumentin e Politikës së Shërbimeve Postare në Republikën e Shqipërisë 2021-2026, që është nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Dokumenti ka për qëllim të përcaktojë objektivat për përshtatjen e këtij sektori me zhvillimet më të fundit të sektorit postar në Bashkimin Evropian dhe atë global në drejtim të e-commerce . Ndërkohë që, pjesë e tij janë edhe një sërë projektesh që duhet të zbatohen në këtë drejtim. Një prej tyre lidhet e paranë elektronike, duke qenë se së fundmi Posta Shqiptare ka marrë licensën e parasë elektronike nga Banka e Shqipërisë.

Në këtë kuadër, Posta do të lançojë aplikacionin e-Posta Shqiptare, një shërbim online që integron dhe lehtëson shërbimet postare dhe financiare. Ndërkaq, projekti tjetër lidhet me hapjen e një magazine doganore në Vorë, që do të ketë në fokus promovimin e shërbimeve e-commerce.  Sipas dokumentit, Posta Shqiptare  ka nisur negociatat me disa prej kompanive më të mëdha globale, me të cilat synon të nisë shërbimin e magazinimit dhe ofrimit të shërbimit doganor për produktet e tyre në Shqipëri dhe rajon