Pushime paraturistike

Nga Redi Shehu

Modeli i pushuesit që në njërën dorë mban bidonin bosh të ujit dhe në tjetrën qesen e plehërave duke u endur pa cak, është kthyer në Mascot-in e verës për Shqipërinë dhe shqiptarët. Të pretendosh sot, sidomos ne pandemni, plot pompozitet se Shqipëria është një destinacion i suksesshëm turizmi përveç guximit të madh ka nevojë edhe për disa mbidoza kafeine. Problemi me turistët e huaj por edhe ata shqiptarë nuk fillon kur ata marrin në konsideratë brigjet e visaret tona, por kur konsiderata e tyre për këtë vend nuk i kalon caqet e pranueshmërisë. Për shqiptarët banorë të këtij vendi, por edhe për emigrantët “prodhim” i kësaj toke, sukseset e Shqipërisë në fushën e turizmit me ndërgjegje të plotë luhaten në mes konceptit se sa Shqipëria çdo vit është bërë më paraturistike se ç’ishte vjet por kurrë duke e kaluar këtë cak.

Në përgjithësi pothuajse çdo vend që përbën një destinacion të suksesshëm turizmi ka kaluar në disa faza para-turistike deri sa është plotësuar si vend turistik. Do të thotë që ka kaluar një proces studimi urbanistik, infrastrukturor, ka pësuar përmirësime të sistemeve aktuale ose ka rigjeneruar burimet e veta turistike e historike duke i komercializuar ato në mënyrën më të frytshme. Mirëpo, përsa i përket realitetit tonë, themi se nuk mjafton që dëshira të konvertohet në kriter turistik, dëshira për të qenë vend sa më turistik që të jetë e mundur nuk përcaktohet vetëm me slogane politike apo nga numri i hyrjes së personave në territorin shqiptar. Te jesh vend turistik mbi të gjtha do të thotë të joshës përmes ri-ardhjes së kontigjentit kryesisht të huaj turistik.

Fakti që ne kemi pushues kosovarë që pushojnë në brigjet tona duke bashkëjetuar në mënyrë stoike me plehrat, ujërat e zeza, mungesën e ujit të rrjetit, kaosit të komplekseve ndërtimore pushuese, mungesën e argëtimit të studiuar dhe variabël, tregon për një turizëm që është në fakt para-turizëm nacionalist, një zhvendosje nga malet tek brigjet dhe vetëm kaq.

Ajo që të shqetëson më së shumti, është fakti nëse Shqipëria do ta kalojë stadin e vendit para-turistik apo jo? Gjasat janë pesimiste. Kultura e të bërit demokraci këto 30 vite, një prodhim i mentalitetit postkomunist gatuar me aspirata evropianiste dhe uri materialiste, kanë formësuar një tablo para-turistike ala Pikasso ku infrastruktura dhe ndërtimet e sistemit totalitar u ngërdheshen ngrehinave “demokratike”. Te parat, të shëmtuara por të rregullta, të dytat të bukura por të siluruar pa rend.

Problemet me pronësinë, ndërhyrjet abuzive në brigjet turistike duke vulosur njëherë e mirë kaosin, rrjetet nëntokësore të sfilitura dhe në ngërç të ngërthyera në nyje të pazgjidhshme, fobia ndaj hapësirave të gjelbërta të manifestuara me betonizim urban, kanë bërë që të merret në konsideratë ideja se Shqipëria mundet ndoshta të ngelë përgjithmonë një vend paraturistik. Ajo që na dëmton më rëndë, është rendja jonë brënda ëndërrës tonë turistike. Ëndërrojmë, proklamojmë me të madhe, bile jemi edhe të bindur vërtet se jemi një vend turistik, por nuk bëjmë tjetër veçse bredhim brenda caqeve të paraturizmit tonë. Kjo sepse nuk mundemi t’i kalojmë këto caqe.

Dëmi i shkaktuar nga papërgjegjshmëria e shoqërisë sonë postkomuniste, është aq i madh, saqë i ka hapur luftë gjithçkaje ka të bëjë me estetikën dhe frutshmërinë, racionalitetin dhe idealin. Shqipëria jonë por edhe gjendja jonë paraturistike është vetëm se manifestim kolapsit në të cilin ndodhemi. Në të vërtetë ne jemi një shoqëri e përcaktuar nga parashtesa “para”. Kemi një klasë parapolitike e ndarë në bajraqe politike, një sistem para arsimor kundruall atij evropian, një paraekonomi e cila është në krizë kur të tjerët prosperojnë dhe prosperon kur të tjerët janë në krizë, një shoqëri parakulturore e cila evokon të huajën dhe lufton traditën, një sistem parabankar i aktivitetit të bankave në raport me atë botëror, një sistem parademokratik dhe parazgjedhor ku institucionet dhe zgjedhjet sapo kanë kaluar fazën e primitivitetit.

A jemi ne një parashoqëri? Ku personalja dhe privatja lulëzon përballë shkretëtirës komunitare ku marrëdhëniet komunitare, prona e përbashkët janë veçse subjekte abstenimi kolektiv. Modeli i personit qe u çon ujë me dum-dum-in e tij banesave luksoze por që ujë s’kanë, apo blloqeve rezidenciale plot pompozitet ku rrugëtimi për të mbërritur tek ato i ngjan një Rally, janë treguesi thelbësor i kontradiktës që eksiton në konceptin tonë për shoqërinë dhe dështimin tonë për të implementuar një shoqëri aq shumë të ëndërruar prej nesh.

Restaurimet fillojnë duke ditur dëmin e pësuar. Nëse ne do të vazhdojmë të endemi mes ëndrrash jo vetëm që nuk do të kemi ndonjëherë turizëm po dyshoj që shumë gjëra nuk do t’i kemi vërtet. Sfida jonë është të dalim jashtë centrifugës elektorale dhe të fillojmë të restaurojmë gjithçka tonën duke u fokusuar tek thelbi dhe jo tek utilitarizmi sipërfaqësor.