Putin: Rusia nuk del e humbur nga lufta në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se Rusia po del e fituar dhe jo e humbur nga konflikti në Ukrainë, sepse ajo po hynte në një rrugë të re sovrane që do të rivendoste ndikimin e saj global.

Në një përpjekje për të nënvizuar animin e Rusisë drejt Azisë, Putin, duke folur në Forumin Ekonomik Lindor në qytetin rus të Paqësorit, Vladivostok, u shpreh se Perëndimi po dështon me sanksionet, ndërsa Azia ishte e ardhmja, shkruan Reuters.

“Ne nuk kemi humbur asgjë dhe nuk do të humbim asgjë. Gjithçka që është e panevojshme, e dëmshme dhe gjithçka që na pengon të ecim përpara do të refuzohet”, theksoi ai.

Putin paralajmëroi se cilësia e jetës për evropianët po sakrifikohej për shkak të sanksioneve, ndërsa vendet më të varfra po përballen me krizë ushqimore.