Qeveria e Kosovës me siluetë dinozauri në godinën e saj shënon mbylljen e samitit për ndryshime klimatike

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë së bashku me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës kanë shënuar mbylljen e samitit global të klimës COP26, duke projektuar një siluetë dinozauri në godinën e Qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Silueta disa metërshe e shfaqur në ballin kryesor të godinës së ekzekutivit ka qenë e shoqëruar me mesazhin “Mos zgjidh shfarosjen”.

Gjatë ndriçimit simbolik të godinës së Qeverisë, morën pjesë përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës dhe nga UNDP.

Përfaqësuesja e UNPD-së në Kosovë, Maria Suokko, tha se dinozauri është maskota e fushatës globale që paraqet një mesazh për ndërprerjen e subvencioneve për karburantet fosile.

Suokko tha se bota po përballet me një krizë klimatike dhe mesazhi i dinozaurit është që duhet të ndërrohet rruga, pra, të fillohet me përdorim të mjeteve tjera alternative ngase ndryshimet klimatike nuk njohin kufij.

Samiti Global i Klimës COP26 i cili filloi nga 31 tetori i këtij viti, përfundon sot, më 12 nëntor.

Ai sivjet u mbajt në Glasgow nën organizimin e Britanisë së Madhe në bashkëpunim me Italinë, me qëllim që të vazhdohet të reduktohen emetimet e dioksid karbonit, marrë parasysh intensifikimin e ngjarjeve ekstreme të motit të lidhura me ndryshimet klimatike, duke përfshirë valët e të nxehtit, përmbytjet dhe zjarret.