Rama: Bashkitë do i marrim nën administrim nëse s’kanë disiplinë financiare

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi kryebashkiakët e vendit se do t’i marrë nën administrim bashkitë që nuk ndryshojnë situatën e rëndë financiare në të cilën ndodhen.

Në mbledhje me kryebashkiakët, kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi se kërkohet disiplinë.

“Një gjë që ministrja nuk e tha, mbase donte të ma linte mua. Mua mi lënë lajmet e këqija. Ne do të marrim masa në rast të mos përmbushjes së detyrimeve në raport me disiplinën financiare. Do t’ua marrim bashkinë në administrim. Siç ndodh në të gjithë botën. Ne nuk po kërkojmë diçka që nuk bëhet, që kërkon dhimbje të papërballueshme. Po kërkojmë disiplinë. Bashkitë duhet të organizojnë aktivitetin e tyre ekonomik dhe financiar fitimprurës. Është absolutisht i mundur, kërkon vetëm vullnet dhe vizion”, tha Rama.

Rama në tej kritikoi kryebashkiakët, pasi sipas tij nuk kanë aktivitet për të rigjeneruar para.

Bashkitë i kanë të gjithë mundësitë që të ndërtojnë dhe të fitojnë para për buxhetin e tyre. Më thoni një kompani bashkiake që ndërton në funksion të strehimit në Shqipëri? Asnjë, nuk ka! Nuk mundet të jetë qeveria përgjigja për çdo kërkesë dhe nevojë”, tha Rama.