Rama i kundërpërgjigjet Metës: Unë nuk quhem Yuri Kim

Kryeministri: Nuk e di që Ambasadorja e SHBA të mbulojë edhe shërbimin postar

Vazhdojnë replikat mes presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama.

Pasi Meta u shpreh se “që Rama gënjen nuk është më lajm as për të huajt”, ka reaguar vetë kryeministri. Pëmes një postimi në Twitter, Rama shkruan:

“Që unë s’gënjej IM e ka shkruar vetë, se unë nuk quhem Yuri Kim dhe s’di që Ambasadorja e SHBA të mbulojë edhe shërbimin postar + po t’i kisha marrë ato pika do i kisha shkruar pse më duken si pika vaji e uthulle që duhen ndarë, se ndryshe thyhet ena e Kushtetutës&Integrimit.”

Më herët, presidenti u shpreh:

“Që Platforma për Integrimin Europian (Non Paper) i është paraqitur Ambasadores së SHBA që më 8 prill 2020 është FAKT. Që Rama GËNJEN nuk është më lajm as për të huajt.”

Deklarata në fjalë erdhi pas postimit të kryeministrit, i cili tha sepresidenti nuk i kishte dorëzuar asnjë platformë siç ai deklaroi në konferencën me gazetarët.

“Presidenti nuk më ka dorëzuar asnjë platformë, por jam gati të ulem në çdo moment me të, me opozitën brenda/jashtëparlamentare e me partnerët e Reformës në Drejtësi, që t’i vëmë pikat mbi “i” të gjitha pikave të të gjitha palëve në shqip/anglisht, se teatri ra, iku e na la.”

Projekt-Platforma e prezantuar nga Presidenti

Duke patur parasysh objektivin kombëtar për një proces të besueshëm, të qëndrueshëm dhe të shpejtë të anëtarësimit në BE;

Duke konsideruar se një qasje gjithëpërfshirëse është e domosdoshme për zbatimin e të gjitha kushteve që lidhen me zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare që çelin negociatat;

Duke risjellë në vëmendje problemet serioze lidhur me zbatimin e duhur të reformës në drejtësi, dhe krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë;

Duke vërejtur me shqetësim të madh mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese për më shumë se dy vjet, e cila ka cenuar mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të individëve dhe e ka lënë veprimtarinë qeveritare dhe parlamentare jashtë kontrollit kushtetues;

Gjithashtu, mos funksionimi i Gjykatës së Lartë që ka çuar rritjen e konsiderueshme të stokut të çështjeve të pashqyrtuara (më shumë se 36.000), duke u mohuar qytetarëve aksesin në drejtësi, duke shkelur kështu të drejtat themelore të njeriut;

Duke kujtuar pasojat e shkaktuara nga bllokimi politik i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për dy vite rresht, 2017-2018, dhe aktivitetin e dyshimtë të KED gjatë vitit 2019, veçanërisht nga Kryetari i KED 2019;

Duke theksuar domosdoshmërinë imediate për një sistem gjyqësor plotësisht funksional dhe efikas;

Duke vërejtur nivelin e papranueshëm të përfaqësimit në Parlamentin shqiptar, dhe përbërjen e tij në mospërputhje me dispozitat kushtetuese, (neni 64/1);

Duke kujtuar vlerësimin e pavarur dhe rekomandimet e mençura të Komisionit të Venecias, në draft Opinionin e tij të datës 6 mars 2020;

Duke mirëpritur angazhimin e forcave politike në kuadrin e Këshillit Politik, si një mekanizëm i përshtatshëm për të çuar përpara reformën zgjedhore;

Të gjitha palët duhet të ndërveprojnë përmes një dialogu konstruktiv, të dakordësohen dhe të ndërmarrin veprimet e mëposhtme:

1. Mazhoranca dhe opozita (parlamentare dhe joparlamentare) të përkushtohen menjëherë për të përfunduar Reformën Zgjedhore, duke adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe përfundimet përkatëse të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të 25 marsit 2020 të Bashkimit Evropian;

2. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të vazhdojë funksionimin, përfshirë ndryshimin e akteve nënligjore të tij, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias të draft-Opinionit të 6 marsit 2020. Për tre vakancat nën shqyrtimin aktual (2 nga Presidenti dhe 1 nga Parlamenti), KED duhet të vazhdojë me dorëzimin e listave të kandidatëve në secilin institucion sipas radhës kushtetuese – President – Parlament – President;

3. KED duhet të lejojë pjesëmarrjen e Avokatit të Popullit në të gjithë kohëzgjatjen e veprimtarisë dhe vendimmarrjessë tij, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin;

4. Mandati i Kryetarit aktual të KED përfundon në kontekstin e emërimit së fundmi të tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Kryetari aktual i KED menjëherë humbet të gjitha të drejtat për të vazhduar ushtrimin e këtij mandati, tashmë të tejkaluar, si anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe rrjedhimisht si Kryetar i KED;

5. KED vazhdon të funksionojë sipas ligjit, i kryesuar nga Nënkryetari;

6. Parlamenti shqiptar të plotësojë menjëherë çdo boshllëk ligjor, në mënyrë që Presidenti ose Parlamenti të mund të hedhin shortin për plotësimin e vakancave të KED brenda vitit kalendarik;

7. Parlamenti shqiptar të tërhiqet dhe të frenohet nga çdo nismë ligjore për ndryshimin e formatit dhe procedurës së betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe funksionarëve të tjerë të lartë të sistemit të drejtësisë;

8. Parlamenti shqiptar të tërhiqet nga “paketa anti-shpifje” dhe të frenohet për çdo nismë të ngjashme ligjore në të ardhmen;

9. Çdo ndryshim ligjor ose kushtetues në lidhje me reformën në drejtësi duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik;

10. Në kuadrin e Këshillit Politik, palët të bien dakord brenda qershorit të emërojnë Kryenegociator për anëtarësimin në BE, një Ekspert të Nivelit të Lartë, integriteti, besueshmëria dhe profesionalizmi i të cilit është reciprokisht i pranueshëm.

11. Të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të emërohen në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore dhe sa më shpejt që të jetë e mundur;

12. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë të miratojnë menjëherë hartën e re gjyqësore të rishpërndarjes së burimeve njerëzore brenda sistemit gjyqësor të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të vazhdojnë me plotësimin e vakancave të krijuara për shkak të dorëheqjeve ose procesit të vetting-ut;

13. Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet t’i japë përparësi vlerësimit të mbingarkesës së Gjykatës Administrative të Apelit dhe të propozojë masat e nevojshme që mundësojnë një proces të rregullt ligjor brenda afatit (1 muaj) në këtë Gjykatë;

14. Parlamenti shqiptar duhet të shqyrtojë në një proces të drejtë, jashtë interesit politik, kandidatët e propozuar nga Presidenti i Republikës për Kryetar të Institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Sugjerimet konstruktive për të përmirësuar këtë platformë janë të mirëpritura.

Tiranë, më 08.04.2020

Lajme të ngjashme