Rama, Kovaçevski dhe Vuçiq bisedojnë për samitin e ardhshëm të BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka biseduar online rreth samitit të ardhshëm të Bashkimit Evropain (BE), me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në rrjetet sociale, kryeministri Rama ka konfirmuar se ka diskutuar sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për samitin e ardhshëm të BE-së.

“Duket se një tjetër ‘Jo, më fal’ do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund. I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë. Çfarë duhet bërë atje?!”, ka shkruar Rama.

Kujtojmë se Samiti i Liderëve të Bashkimit Evropian do të mbahet më 23-24 qershor në Bruksel.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë vende kandidate për anëtarësim në BE dhe janë në pritje të hapjes zyrtare të negociatave të anëtarësimit.