Rama nxjerr nga partia si ”kulak” Dritan Lelin, letra që u lexua në mbledhje nga Gjiknuri: Me mua dhe Damianin…

Ajo që pritej të ndodhte, duket se ka marrë jetë në Vlorë, ku divorci mes Edi Ramës dhe Dritan Lelit tashmë është një fakt. Pak pasi Leli refuzoi që të ishte pjesë e listave të deputetëve, duke zgjedhur Bashkinë, Rama u ka dërguar një letër anëtarëve të Asamblesë së Vlorës.

“Dritan Leli nuk është më pjesë e jona. Me mua dhe Damianin nuk do të dalë në fushatë. Nëse ka preferencë për ndonjë kandidat privatisht le ta ndihmojë, por jo me ne”, thuhej në letrën, e cila u lexua në mbledhjen e asamblesë nga Damian Gjiknuri.

Rama shkruante në letër se sipas sondazheve të bëra nga Partia Socialiste, nëse Leli do të përfshihej në listat e deputetëve, do të arrinte deri mandatin e nëntë të kësaj force në qytetin bregdetar.

“Të njëjtën ftesë, ia bëra dhe kryetarit të bashkisë së Dibrës, dhe menjëherë ky i fundit pranoi të ikte nga bashkia”, thuhet më tej në letrën e Ramës.

Madje Rama shkruan se që në qershor, Leli thoshte se për ty jap dhe jetën, ndërsa sot nuk ndërron as karrigen për mua dhe Partinë Socialiste.

Vetë Leli nuk ka pasur asnjë reagim për mediat lidhur me zhvillimet në PS-në e Vlorës, dhe ka preferuar që të gjitha këto ditë të jetë sa më larg vëmendjes.

Rama thotë ne letrën që është lexuar nga Gjiknuri, se ai nuk ka asnjë gjë personale me kryebashkiakun Leli, por ai refuzoi që të ndiqte strategjinë e PS-së.