Rama paralajmëron ndalimin e hyrjes në vendet publike për personat e pavaksinuar

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se qeveria po shikon mundësinë që të ndalohet hyrja në vendet publikë për personat e pavaksinuar nëse gjatë dimrit përkeqësohet situata me pandeminë.

Në një postim në facebook, Rama shkroi:

“MIRËMËNGJES 😊 dhe me ftesën për të pavaksinuarit që të vaksinohen një orë e më parë, për të mbrojtur veten e për të mos u ndodhur jashtë mundësisë së aksesit në mjedise publike, në qoftë se situata e dimrit do ta imponojë, ju uroj një fundjavë të mbarë🙏”.

Shqipëria është një nga shtetet me ritmet më të ulëta të vaksinimit, bashkë me Bosnjë Hercegovinën. Më pak se gjysma e popullsisë në vend ka marrë të paktën një dozë, ndërsa në Itali, mbi 80% e popullsisë është e vaksinuar.