Rama tërheq padinë ndaj Haradinaj: Është figurë historike e Kosovës!

Rama njofton tërheqjen e padisë për shpifje kundër Haradinajt: E kam njoftuar dhe i kërkova takim, por s’ma hapi derën...

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se ka tërhequr padinë kundër ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Në konferencën e tij për mediat në përfundim të vizitës së tij në Kosovë, Rama tha se i kishte kërkuar Haradinajt takim, dhe do ishte ai që do ulej por nuk ishte pranuar. Më tej numri një i qeverisë shqiptare tha se e kishte njoftuar kreun e AAK-së për tërheqjen e padisë, e më tej deklaroi se padia do tërhiqet dhe zyrarisht.

“Ramushit i kam kërkuar takim si gjithë të tjerëve dhe si paditës që shkon tek i padituri besoj që nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën, për më tepër duhet të diskutoja me të për këtë çështje që është shumë më e madhe se emrat e përvetshëm, raporton Dosja.al.

E kam njoftuar se nuk do të bëja konferenca pas çdo dere, por në fund do tërhiqja padinë. Nuk e di çfarë roli ka tërheqja e padisë në rolin mes nesh. Për më tepër me padi e pa padi, me shpifje e pa shpifje, Haradinaj për mua është një figurë historike dhe nuk mund të lëvizë prej andej. Në fund dua të them që padia do të tërhiqet dhe zyrtarisht”, tha Kryeministri.