Raporti i OBSH për Shqipërinë: Shëndetësia nuk është falas, por burim varfërimi

Një e treta e popullsisë së vendit sot llogaritet e pasiguruar dhe detyrohet të paguajë për çdo gjë përveç shërbimit të emergjencës, vizitave te mjekët e familjes dhe “check up”-it, nëse përfshihen në grupmoshën 35-70 vjeç.

Shëndetësia nuk është falas për shqiptarët, por madje është burimi kryesor për vështirësitë financiare të popullsisë së vendit. Deklarata e fortë vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Në një analizë të publikuar vetëm pak ditë më parë, OBSH deklaron se kostot për t’u kuruar shtyjnë drejt varfërisë 8% të familjeve shqiptare dhe madje rrënojnë ekonomikisht 12%-shin më të varfër.

Një e treta e popullsisë së vendit sot llogaritet e pasiguruar dhe detyrohet të paguajë për çdo gjë përveç shërbimit të emergjencës, vizitave te mjekët e familjes dhe “check up”-it, nëse përfshihen në grupmoshën 35-70 vjeç.

Por, shëndetësia nuk është falas as për të siguruarit. Çdo shqiptar paguan mesatarisht 6 700 lekë në vit nga xhepi, ku ilaçet përbëjnë koston kryesore, ndjekur nga kujdesi spitalor, ai jospitalor, testet diagnostifikuese, si edhe kujdesi dentar. Këto pagesa nga xhepi, sipas OBSH, janë në rritje nga viti në vit.

Ky sistem që të orienton drejt pagesave shtesë, sipas OBSH, bën që 1 në 5 persona të shtyjnë apo të mos kërkojnë kujdesin shëndetësor kur kanë nevojë. Ky raport bëhet më shqetësues për familjet më të varfra, që nëse nuk arrijnë të gjejnë borxh, nuk mund të marrin mjekim. /A2News