Rikthehet panairi i librit pas dy vitesh mungesë

Pas dy vitesh mungesë për shkak të pandemisë, sot rikthehet panairi i librit.

Panairi i 24 i librit do të mbahet në datat 17- 21 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, duke ju rikthyer formës tradicionale.

Në të marrin pjesë shtepi botuese nga Shqipëria, Kosova dhe treva të tjera shqiptare.

“Do të jenë 90 shtëpi botuese dhe operatorë tjerë e institucione që merren me librin. Ka me qindra tituj të rinj”, tha ditë më parë Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve.

Si çdo herë tjetër, kalendari i aktiviteteve, sigurisht do t’i kushtohet librit, me seminare, diskutime, dhe takime me shkrimtarë të njohur, vendas e të huaj, ku veçanërisht një hapësire do t’i kushtohet krijuesve dhe përkthyesve të rinj. 

Në lëmin e librave të nxjerra nëpër stenda në vitet e kaluara, prezenca e titujve nga letërsia e huaj dominon titujt e letërsisë shqipe, megjithatë edhe këtë vit nuk do të mungojnë librat e rinj të autorëve tanë. 

Organizatorët e panairit kanë bërë të ditur se nuk duhet as certifikatë vaksinimi, as përgjigje tamponi për COVID-19 për të hyrë në panair. Por, gjatë ditëve që mbahet ky eveniment, grumbullimet e mëdha nuk do të lejohen.

Stafi i panairit dhe stafet e shtëpive botuese duhet të jenë të vaksinuar.