Rikthehet panairi tradicional i librit, Ymeri: Aktiviteti më i madh kulturor

Panairi i 24 i librit do të mbahet në datat 17- 21 nëntor te Pallati i Kongreseve në Tiranë, duke ju rikthyer formës tradicionale, pas një viti ku për shkak të pandemisë, mungoi ekspozimi i librave. Kryetari i Shoqatës së Botuese vlerëson titujt e rinj, shqiptarë e të huaj.

“Këtë vit jemi rikthyer në traditën tonë me një dëshirë të madhe për të rifilluar. Panairi i Librit të Tiranës mund të konsiderohet aktiviteti më i madh në çdo pikëpamje, jo vetëm numerike por edhe kulturore që zhvillohet në Shqipëri. Ajo që është me rëndësi është që ka qindra të rinj të një cilësie të mirë. Prurjet janë qoftë nga letërsia bashkëkohore shqiptare por pjesën më të madhe është vërshimi që vjen me autorë të shquar nga e gjithë bota.”, -tha Petrit Ymeri.

Nobelistë e fitues çmimesh të tjera letrare botërore që kanë bërë historinë e letërsisë, autorë të traditës shqiptare dhe të rinj, prozë e poezi të përkthyera, ofrojnë nga stenda në stendë, qindra botë e jetë përmes faqeve të librave. Siç disa prej librave mund ta parashikojnë, normaliteti i ri ka shënjimet e veta.

“Ne kemi vënë detyrimin që të gjithë ekspozuesit të jenë të vaksinuar ose në raste të veçanta me tampon. Lexuesit nuk është detyrim të ekën por dua të besoj se njerëzit e librit e kuptojnë domosdoshmërinë e vaksinimit. Të më falin ata që nuk janë në një mendje me mua’, thotë Ymeri.

Panairi i Tiranës do të ketë ulje çmimesh për titujt e librave, që vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa në fund do të ketë edhe çmime për disa kategori.