Separatizmi i ringarkuar: Si përfundoi Mali i Zi në harresë?

Më 19 prill, dhjetëra protestues u mblodhën para stacionit të policisë në Pljevlja, një qytet në veri të Malit të Zi dhe brohoritën “Sparta Serbe po zgjohet, ky vend nuk do të bëhet Turqi!”. Protestuesit pro-serbë përbëheshin kryesisht nga aktivistë të koalicionit qeverisës, Frontit Demokratik dhe Partia Demokratike e Malit të Zi. Arsyeja për protestën ishte vendimi i qeverisë për të caktuar një boshnjak si shef të policisë lokale në Pljevlja.

Kjo protestë, shfaqje publike e fanatizmit, do të ishte e pamundur në Malin e Zi të disa viteve më parë. Atëherë, si përfundoi Mali i Zi në këtë gjendje? Vendi fitoi pavarësinë, duke u shkëputur nga Serbia e post-Millosheviçit, në vitin 2006. Nën sundimin e vendosur të Millo Gjukanoviçit, vendi përparoi vazhdimisht, veçanërisht në integrimet euro-atlantike. Kjo tërhoqi vëmendjen e Rusisë, e cila e konsideron Malin e Zi si strategjik për ndikimin e saj në Ballkan.

Në vitin 2016, në ditën e zgjedhjeve, dhjetëra persona u arrestuan nga autoritetet malazeze nën dyshimin për organizimin e grusht shtetit. Kjo përfshinte anëtarët e opozitës pro-serbe në Mal të Zi dhe shtetasit serbë të cilët kishin hyrë ilegalisht në vend, ish-kreun i xhandarmërisë serbe dhe dy shtetas rusë.

Situata politike në vend u përshkallëzua më tej kur qeveria miratoi Ligjin për Liritë Fetare në vitin 2019. Kisha Ortodokse Serbe, e lidhur ngushtë me shtetin serb, u pa si forca kryesore lëvizëse në minimin e shtetit malazez. Kjo na çon në çështjen e administrimit të çështjeve fetare midis të krishterëve ortodoksë në Mal të Zi, e cila është e ngatërruar me politikë dhe nacionalizëm. Kisha Ortodokse e Malit të Zi, e formuar në vitin 1993, e sheh veten si pasardhëse të Kishës Malazeze autoqefale, e cila operoi në Mbretërinë e Malit të Zi deri në bashkimin e saj me Mbretërinë e Serbisë në vitin 1918. Kisha Ortodokse Serbe ende kontrollon disa manastire të tilla si Manastiri Ostrog, i cili, si një vend pelegrinazhi, është i rëndësishëm për Kishën jo vetëm si një vend fetar por edhe si një burim i të ardhurave.

Ligji për Liritë Fetare ishte një katalizator për partitë pro-serbe për zgjedhjet e vitit 2020. Nacionalistët serbë në Serbi dhe Republika Sërpska, entiteti serb në Bosnjë e Hercegovinë, në koordinim me Kishën Ortodokse Serbe, organizuan tubime para zgjedhjeve për të mobilizuar votuesit. Gjatë ditës së zgjedhjeve, një anëtar i Parlamentit serb të Bosnjës, Nebojsha Vukanoviç, shpërndau një video duke treguar një autobus me banorë të Sarajevës që dyshohet se po shkonin në Mal të Zi për të votuar në mënyrë të organizuar. Në video, Vukanoviç shprehet: “Ja një autobus nga Sarajeva, plot turq”.

Zgjedhjet çuan në formimin e koalicionit i mbajtur bashkë nga një parti gjoja civile, Aksioni i Përbashkuar për Reforma, me udhëheqësin e saj Dritan Abazoviç të emëruar si zëvendës kryeministër. Që nga fitorja e këtij koalicioni, paqëndrueshmëria ka ardhur në rritje. Në shtator, ndërtesa e komunitetit musliman në Pljevlja u sulmua me gurë dhe dritaret e saj u thyen. Grafitet që thonë “Turq ikni” dhe të tjerët që glorifikojnë gjenocidin e Srebrenicës u pikturuan në disa ndërtesa të qytetit.

Megjithatë, kjo nuk ishte një ngjarje e izoluar. Jovan Vucuroviç, një deputet nga Parlamenti malazez, është inçizuar për mohimin e gjenocidit. Kjo nuk e ndaloi atë të emërohej si kryetar i Komisionit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Parlamentin e Malit të Zi. Kohët e fundit, Vladimir Leposaviç, ministri i Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave i Malit të Zi, deklaroi se ishte “i gatshëm të pranojë që krimi i gjenocidit është kryer në Srebrenicë kur të vërtetohet pa mëdyshje”, duke shkaktuar zemërim midis diplomatëve perëndimorë dhe popullsisë boshnjake në rajon.

Ngjarjet në Ballkan shpesh duken si një përsëritje e së kaluarës. Sulmet ndaj pronave boshnjake në Pljevlja kthehen në dhunën e vitit 1992, kur një komandant lokal serb u dha ‘dritë të gjelbër’ banditëve të tij për të sulmuar dhe djegur pronën e boshnjakëve, në koordinim me politikën e shtetit jugosllav për heqjen e popullsisë boshnjake nga rajoni i Sanxhakut. Kjo politikë përfshinte vrasje dhe sulme të dhunshme, të tilla si sulmi në fshatin Bukovica, i cili la të vrarë 6 civilë boshnjakë dhe xhaminë lokale të shkatërruar.

Situata në Mal të Zi nuk duhet të neglizhohet. Dhuna politike midis aktorëve pro-serbë dhe pro-malazez duhet të parashikohet nëse vendi vazhdon të destabilizohet. Për më tepër, boshnjakët në qytetet kufitare, veçanërisht ato me një histori dhune, të tilla si Pljevlja, mund të jenë në shënjestër. Mali i Zi mund të shihet si një lloj ushtrimi për ekstremistët që planifikojnë të hartojnë vija dhe kufij të rinj etnikë në rajon.

 

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency.

Lajme të ngjashme

Comments are closed.