Serbi, mbërrijnë 440 mijë doza të tjera të vaksinës kineze Sinopharm

Në kontingjentin e ri 200 mijë doza janë donacionin nga Ushtria e Kinës...

Një kontingjent i ri me 440 mijë doza të vaksinës kineze Sinopharm kundër koronavirusit (COVID-19) ka mbërritur në Serbi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kontingjenti i vaksinave u mirëprit në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd nga ministri i Mbrojtjes, Nebojsa Stefanoviç, ministri i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar dhe ambasadori i Kinës në Serbi, Chen Bo, njoftoi Qeveria e Serbisë.

Stefanoviç veçanërisht falënderoi për 200 mijë dozat e dhuruara nga Ushtria Kineze dhe tha se ato do të ndihmonin në mënyrë të konsiderueshme në mbrojtjen nga pandemia. Ai u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe familjeve të tyre që të vaksinohen dhe kështu të tregojnë përgjegjësi.

Ministri i Mbrojtjes gjithashtu tha se të gjithë mjekët ushtarakë ishin vaksinuar dhe se 95 për qind e të punësuarve në Akademinë e Mjekësisë Ushtarake ishin vaksinuar.

Ministri i Shëndetësisë, Lonçar deklaroi se me dërgesat Serbia do të arrijë 3.5 milionë doza të vaksinës kineze deri në fundjavë.

Ai apeloi tek vetëqeverisjet lokale në komuna ku përgjigjja ndaj vaksinimit është më e ulët të përfshihen në mënyrë më aktive dhe të promovojnë vaksinimin.

Gjithashtu, Lonçar u bëri thirrje të rinjve që të vaksinohen dhe përmendi shembullin e Pekinit, ku në një moment prioritet iu dha vaksinimit të të rinjve, sepse ata duhet të lëvizin dhe të punojnë, gjë që dha rezultate.

Ambasadori kinez Chen Bo shprehu kënaqësinë me kontingjentin e ri të vaksinave. Ai veçanërisht vuri në dukje donacionin e Ushtrisë Kineze që është dëshmi e miqësisë së fortë dhe bashkëpunimit midis dy ushtrive në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.