Serbia kundër BE-së: Kosova nuk ka të drejtë të heqë targat

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, njëkohësisht kreu i ekipit negociator të Beogradit, Petar Petkoviç e konsideron jo të vërtetë deklaratën e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano i cili tha se Kosova ka të drejtë për heqjen e targave KM dhe regjistrimin e tyre me RKS.

Sipas Petkoviç, Stano ka folur në mënyrë të njëanshme dhe theksoi se në marrëveshjet e arritura për lëvizjen në vitet 2011 dhe 2016, thuhet se të gjitha targat do të regjistrohen në territorin e Kosovës dhe qytetarët do të mund të zgjedhin mes dy llojeve të targave.

Ai theksoi se me lëvizjet e fundit të njëanshme të kryeministrit Albin Kurti për heqjen e letërnjoftimeve dhe targave serbe me shënimet KM, PR, GL, Kosova po ushtron dhunë institucionale ndaj serbëve nga Republika e Kosovës.

Petkoviç thotë se kjo është shkelje absolute e të gjitha marrëveshjeve për lirinë e lëvizjes, që kërcënon paqen dhe stabilitetin e qytetarëve.

Qeveria e Kosovës vendosi për regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga Serbia.

Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 30.09.2022.