SHBA dhe BE nuk do të imponojnë ‘Republikë Serbe’ në Kosovë

SHBA dhe BE nuk do të imponojnë asnjë model të Asociaiconit me pushtet ekzekutiv dhe nuk janë të interesuar të formojnë një “Republikë Serbe” në Kosovë.

Kështu thanë përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në një konferencë të përbashkët për media në Prishtinë, në përfundim të vizitës së tyre treditore në Kosovë, Escobar tha se nuk erdhën në Kosovë me propozime të gatshme që duan t’ua imponojnë palëve, sa i përket krijimit të Asociacionit.

“Nuk duhet të jenë modele që minojnë sovranitetin e Kosovës dhe funksionalitetin. Pra, ne duhet të gjejmë një prej këtyre modeleve. Ato mund të gjenden, mund të negociohen dhe palët mund të pajtohen. Ky është qëllimi i dialogut. Nuk është qëllimi i SHBA-së të imponojë një ose të zgjedhë një model në emër të palëve. Megjithatë, ne mund të ndihmojmë, nëse ka modele që ata do të duan të eksplorojnë”, tha Escobar.

Lajçak tha se tema e Asociacionit është diskutuar gjatë takimeve në Prishtinë me udhëheqësit e institucioneve, liderët opozitarë dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Ai tha se askush nuk do një “Republikë Serbe” në Kosovë.

“Nëse dëshironi që t’i jepni fund ekzistimit të strukturave paralele, nëse dëshironi transparencë në rrjedhjen e parave, nëse dëshironi sundim të ligjit në veri, kjo mund të bëhet brenda sistemit ligjor dhe kushtetues të Kosovës”, tha Lajçak.

Ai shtoi se Kosova nuk duhet të frikësohet “nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t’ua imponojë”.

“Keni vetëbesim, jeni të vetëdijshëm se jeni bashkëpronar të këtij procesi dhe ju jeni partnerë të barabartë. Nuk ka asnjë arsye që të keni frikë për një proces që po e udhëhiqni së bashku me Serbinë dhe ne jemi këtu për t’u siguruar që çdo vendim të jetë i bazuar në normat, standardet dhe vlerat evropiane”, shtoi Lajçak.

Escobar dhe Lajçak thanë se vizita e tyre në Kosovë ishte produktive dhe se kishte qëllim inkurajimin e qeverisë për t’u kthyer në dialog me Serbinë.

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar asnjë takim në nivel të lartë që nga korriku i vitit 2021.

Pas Kosovës, dy zyrtarët e lartë do të qëndrojnë në Serbi për t’u takuar me udhëheqësit politikë serbë.