Erdoğan: Turqia është vendi që ka përmirësuar më shumë pagat e mësuesve në 19 vitet e fundit në Evropë

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha sot se Turqia është shteti që ka përmirësuar më së shumti pagat e mësuesve në 19 vitet e fundit në Evropë, raporton Anadolu Ageny (AA).

Në një ceremoni për emërimin e 15.000 mësuesve të rinj në Kongresin Popullor dhe Qendrën Kulturore Baştepe në Ankara, Erdoğan tha se kjo forcon më tej fuqinë arsimore të vendit.

“Krahas vështirësive të shkaktuara nga pandemia, Turqia është një nga vendet e pakta që në mënyrë të pashqetësuar mund të vazhdojë aktivitetet arsimore në gjithë vendin”, tha Erdoğan, duke shtuar se është i bindur se gjysmëvjetori i dytë do të realizohet me një sukses të madh dhe pa probleme.

Ai tha se shteti nuk do të lejojë të qëndrojë asnjë barrierë mes nxënësve, mësuesve të tyre dhe shkollave.

“Ne bëjmë gjithçka që fëmijët tanë të mos ndahen më nga mësuesit dhe të mos largohen nga shkollat. Sigurisht që edhe ne i kemi ndier vështirësitë dhe problemet e shkaktuara nga pandemia, por me përpjekjet e mësuesve dhe prindërve tanë i kapërcejmë të gjitha pengesat dhe shkollat tona ishin të hapura”, tha Erdoğan.

Erdoğan kujtoi se arsimi është një nga katër shtyllat e zhvillimit të Turqisë, të cilën ai e paralajmëroi kur erdhi në pushtet në vitin 2002, duke shtuar se sektori i arsimit i është nënshtruar një procesi të gjerë përmirësimi dhe modernizimi, me një buxhet arsimi që prej 7,5 miliardë lirash në vitin 2002 tani është rritur në 274 miliardë lira.

“Falë investimeve të mëdha që ka bërë në 19 vitet e fundit, Turqia ka zgjidhur pothuajse plotësisht të metat e saj në infrastrukturën arsimore. Fokusi ynë kryesor tani e tutje është përmirësimi i cilësisë së arsimit. Kjo është ajo që ju mësuesit do të arrini. Për këtë ne duhet të përditësojmë dhe zhvillojmë përmbajtjet e edukimit dhe trajnimit dhe të ofrojmë planin dhe programin më të përshtatshëm arsimor për fëmijët tanë”, tha Erdoğan.

Presidenti turk Erdoğan tha se ngjarjet në periudhën e kaluar kanë treguar se rreziku më i madh me të cilin mund të përballet vendi është që të rinjtë të përfundojnë në grykën e terrorizmit dhe ideologjive margjinale.

“Si komb, ne nuk mund të lejojmë që asnjë fëmijë të humbasë për shkak të veprimtarive të cilësdo organizate, rrjeti apo ndonjë ideologjie devijuese dhe margjinale”, përfundoi Erdoğan.