8.5 C
Tiranë
E enjte, 9 Dhjetor, 2021

SHBA përshëndet Bashën për përjashtimin e Berishës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur vendimin e Lulzim Bashës për përjashtimin e ish kreut historik të PD-së, Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD-së.

Vendimi i Bashës, sipas SHBA-së ishte e vështirë, duke theksuar se PD ka kurajën që të ndahet nga e shkuara për të ndërtuar të ardhmen.

Duke shprehur mbështetje ndaj PD-së, Amerika pret bashkëpunim të ngushtë me opozitën për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.

“Vendim i vështirë i shpallur dje nga Kryetari Lulzim Basha meriton respekt. Ky vendim demonstron se, ashtu siç ndodhi 30 vjet më parë dhe në momente të tjera kritike në historinë e Shqipërisë, Partia Demokratike ka kurajon për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtojë të ardhmen, për të ndihmuar që ta udhëheqë Shqipërinë përpara. Shtetet e Bashkuara kanë pasur një marrëdhënie të veçantë me Partinë Demokratike që nga themelimi i saj dhe presim me kënaqësi të punojmë më ngushtë se kurrë me Kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”, shkruan ambasada.

Kreu i Partisë Demokratike, me anë të një deklarate një ditë më parë vendosi të largojë nga grupi parlamentar ish-kryeministrin Sali Berisha, derisa të dalë në dritë e vërteta, e vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në një deklaratë për mediat, teksa theksoi rolin e rëndësishëm të Berishës në forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, kryedemokrati Lulzim Basha ka përsëritur thirrjen për transparencë në këtë proces.

Më tej Basha shtoi se partneriteti i PD me SHBA është i pacenueshëm dhe do duhet të vijojë të mbetet i tillë në interes të demokratëve dhe të ardhmes së Shqipërisë.

Pas vendimit të Bashës, Berisha tha se kryedemokrati ka shkelur çdo nen të statutit të PD-së, duke u shprehur se do të jetë i pranishëm në parlament.

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall ‘non grata’ nga SHBA në muajin maj të këtij viti. Ishte vetë sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken publikisht ka shpallur si person ‘non grata’ në SHBA ish presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha bashkë më familjen e tij.

Përmes një mesazhi në Twitter, Bliken tha se ish-presidenti Shqipërisë Sali Berisha me aktet e tij korruptive minojnë demokracinë.

Për tu Lexuar

Të Fundit

Lajme të Ngjashme