SHBA, vazhdojnë në ditën e 13-të protestat për George Floyd

Në qytetet New York, Chicago dhe Philadelphia u hoq ora policore, pasi shumica e protestave kaluan në mënyrë paqësore

Protestat që filluan dhe u përhapën në mbarë SHBA-në pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd si pasojë e dhunës policore kanë vazhduar në ditën e 13-të me radhë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në qytetet New York, Chicago dhe Philadelphia u hoq ora policore, pasi shumica e protestave kaluan në mënyrë paqësore.

Në protestat e zhvilluara në zona të ndryshme në New York, një grup protestuesish përpara “Trump Tower” hodhën sloganet “Voto, shpëto nga Trump”.

Presidenti amerikan Donald Trump dha udhëzimin për tërheqjen e gardës kombëtre në Washington ku protestat vazhdojnë prej 10 ditësh.

Gjithashtu në protestat e mbajtura në kryeqytet morën pjesën edhe qindra persona nga kisha evangjelike.

Në Minneapolis ku humbi jetën Floyd u largua nga sheshi me brohoritje kryetari i bashkisë, Jacob Frey i cili nuk pranoi kërkesën e protestuesve për mbylljen e Departamentit të policisë.

Ndërsa në Virginia mbrëmë u shemb statuja e Carter Wickham, gjeneralit të ushtrisë së konfederatës gjatë luftës së brendshme amerikane.

Kandidati demokrat për president, Joe Biden do të vizitojë të hënën familjen Floyd në mënyrë “që të mos ketë probleme për shkak të mbrojtjes dhe sigurisë ekstreme” në ceremoninë mortore që do të mbahet më 9 qershor në Houston.

Universiteti Houston njoftoi anulimin e mësimeve të hënën për ata që duan të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore të Floyd.

George Floyd, afroamerikani 46-vjeç u arrestua nga policia më 25 maj në Minneapolis nën dyshimin për mashtrim. Ai humbi jetën pasi një polic i vendosi për disa minuta gjurin mbi qafën e tij. Vdekja e Floyd ndezi sërish debatin mbi racizmin dhe dhunën policore në vend kundër personave me ngjyrë.

Në ngjarjet që filluan në Minneapolis dhe u përhapën në mbarë vendin dhe në protestat që vazhdojnë prej rreth 2 javësh kërkohen reforma për policinë.