Shëndeti mendor, shtohet puna e mjekëve psikiatër

Popullata jonë po ndërgjegjësohet çdo ditë e më shumë për rëndësinë që ka shëndeti mendor. Por kjo nga ana tjetër shkakton ngarkesë tek mjekët psikiatër dhe psikologët.

E të ndodhur në këto kushte kur këta të fundit janë shumë afër “Burn out-it” apo konsumimit, natyrshëm lind pyetja: Po një mjek psikiatër vetë, a ka nevojë për psikolog?

“Patjetër që shtimi i fluksit të vizitave, një mjek dhe sidomos një mjek psikiatër, e afron drejt konsumimit. Nëse do të dish përvojën time, kur unë studioja në Romë, supervizorja ime, mjekja, bënte vetëm 6 vizita në ditë. Vizitë me një pacient që paraqitej për herë të parë ajo bënte vetëm 1 në ditë. Pasi kush shkon për herë të parë tek psikiatri, merr gjithë kohën dhe vëmendjen e psikiatrit, sepse ti ke dhënë një mjekim, e di për çfarë e ke dhënë dhe duhet të kontrollosh ecurinë. Pra një mjek psikiatër që të jetë rezultativ duhet të kryejë 5 vizita rikontroll dhe një vizitë për herë të parë.

Unë sigurisht që ja lejoj vetes të flas edhe në emër të kolegëve, që ne bëjmë minimalisht 20 vizita në një ditë. Jo të gjitha janë vizita të para, por edhe të gjitha rikontrolle po të ishin, do shkaktonin një konsum ekstrem.

Përsa i përket terapisë që ne bëjmë për veten tonë, mund të them se “qahemi” tek njëri-tjetri, dhe diskutojmë se si mund të gjejmë metoda apo bashkëpunim mes njëri-tjetrit, për ta lehtësuar në këtë mënyrë njëri-tjetrin. Pra edhe mes kolegësh, ne kur bashkohemi diskutojmë për gjërat e punës, për ta reduktuar sa më shumë këtë koefiçent kosumi. Unë personalisht e shfrytëzoj në maksimum fundjavën, si dhe zhvilloj biseda të këndshme me miq e shokë pozitivë. Këto janë disa metoda dhe ushqimi ynë, që ne e përdorim për të rimarrë energjitë nga konsumimi i ditës.”- tha Arjana Rreli, Mjeke Psikiatre