“Shërbimet online”, Karçanaj: Asnjë minutë pritje në sportele, qytetarët dhe bizneset do të kenë lehtësira

“Shërbimet online lehtësojnë qytetarët dhe bizneset nga një barrë e madhe dokumentesh, duke u kursyer atyre kohë dhe para”, deklaroi sot në një intervistë për ATSH-në, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj.

“Shërbimet online lehtësojnë qytetarët dhe bizneset nga një barrë e madhe dokumentesh, duke u kursyer atyre kohë dhe para”, deklaroi sot në një intervistë për ATSH-në, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj.

Karçanaj specifikoi disa nga përfitimet që do të kenë qytetarët dhe bizneset nga kjo reformë, që sipas saj, “shenjon një kthesë historike në procesin dixhitalizues të shërbimeve publike shqiptare”.

Drejtoresha e AKSHI-t u ndal te impakti që do të ketë kjo reformë për qytetarët, ndërsa u shpreh se “qëllimi ynë është vetëm lehtësia e ofrimit të shërbimeve”.

“Prej 1 janarit, në platformën unike të qeverisë e-Albania gjenden dhe janë në funksion të plotë 472 aplikime për qytetarët dhe bizneset, duke shenjuar një kthesë historike në procesin dixhitalizues të shërbimeve publike shqiptare. Nga fillimi i janarit, kemi bërë të mundur lehtësimin e një sërë procedurash burokratike, duke evituar humbjen e kohës, njëkohësisht duke rritur transparencën dhe cilësinë e shërbimeve që shteti ofron sot për shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut”, tha ajo për ATSH-në.

Sipas drejtoreshës së AKSHI-t, “e-Albania ka nisur prej kohësh procesin transformues dhe ne besojmë fort në ndryshimin e mentalitetit të qytetarëve, lidhur me këtë formë të re të pashmangshme të komunikimit me institucionet shtetërore”.

“Qytetarët dhe bizneset duhet të jenë të sigurt se qëllimi ynë është vetëm lehtësia e ofrimit të shërbimeve, ndërsa tashmë është fakt se fenomeni korruptiv në këtë lloj komunikimi i përket vetëm së shkuarës”, tha ajo.

Karçanaj solli statistika konkrete mbi përfitimet që sjell shtrirja e shërbimeve online për qytetarët dhe për shtetin.

“Duke aplikuar online, qytetarët evitojnë radhët nëpër sportele duke përdorur kompjuterin, tabletin apo telefonin e tyre, direkt nga shtëpia, në çdo ditë apo orë. Të mos harxhojnë asnjë minutë pritje në sportel dhe asnjë minutë duke mbledhur dokumentet e shtetit nga një zyrë e shtetit në tjetrën”, tha ajo.

Një shembull i mirë për ta ilustruar këtë, sipas Karçanaj, “është aplikimi online për të marrë dëshminë e penalitetit, një dokument për të cilin qytetarët për 30 vite me radhë aplikonin në postë kundrejt tarifës 430 lekë, prisnin 15 ditë të kryheshin verifikimet dhe më pas duhet të paraqiteshin sërish në postë për ta tërhequr”.

“Çdo ditë regjistroheshin 400 aplikime të tilla, shoqëruar me pritjet në radhë dhe ecejaket e panevojshme. Në grupin e aplikimeve të shtuara prej 1 janarit, qytetarët aplikojnë lehtësisht përmes e-Albania, pa asnjë pagesë dhe brenda 6 ditësh përgjigjja vjen e pajisur me vulë elektronike”, tha Karçanaj.

Duke u ndalur te fazat përmes së cilave do të kompletohet ky proces, Karçanaj tha se “Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, si institucioni përgjegjës dhe menaxhues për gjithë këtë revolucion të jashtëzakonshëm që po pësojnë shërbimet, ka bërë publik planin e veprimit për aplikimet online të shërbimeve, të cilin e kemi ndarë në tre faza”.

“Siç e kemi theksuar, 1 janari shënoi vetëm hapin e parë të kalimit të 472 aplikimeve vetëm online. Muaji qershor do të vijë me fazën e dytë të kalimit vetëm online të 395 aplikimeve për shërbime publike dhe faza e tretë do të jetë në dhjetor të 2020-s, ku do kemi edhe 394 aplikime të tjera për shërbime, të cilat në total përbëjnë mbi 90% të të gjitha shërbimeve publike të shtetit”, tha drejtoresha e AKSHI-t.

Po ashtu, ajo theksoi se “AKSHI së bashku me institucionet e tjera shtetërore të përfshira në proces kanë nisur fushatën informuese për qytetarët dhe bizneset lidhur me lehtësitë që do kenë falë dixhitalizimit të mëtejshëm të shërbimeve”.

Drejtoresha e AKSHI-t nënvizoi faktin se “të gjithë gamën e dokumenteve që gjenerohen nga institucionet shtetërore e kanë për detyrë që ta sigurojnë punonjësit e administratës për llogari të tyre”.

“Ne nuk do të reshtim së sqaruari dhe informuari qytetarët për evoluimin që po përjetojnë institucionet shtetërore shqiptare. Të gjithë personat që interesohen të aplikojnë apo të marrin një shërbim, duhet t’i drejtohen platformës e-Albania; të gjithë gamën e dokumenteve që gjenerohen nga institucionet shtetërore e kanë për detyrë që ta sigurojnë punonjësit e administratës për llogari të tyre. Ne këtë riformatim, ne po e lehtësojmë qytetarin dhe biznesin nga një barrë e madhe dokumentesh. U kursejmë kohë dhe para dhe u japim mundësinë që aplikimin për çdo shërbim ta bëjnë në kohën që zgjedhin vetë aplikuesit”, shtoi ajo, raporton ATA.

Karçanaj sqaroi qytetarët se “mjafton të identifikohen në platformën e-Albania, të kërkojnë shërbimin për të cilin janë të interesuar dhe gjithçka tjetër është punë e sporteleve virtuale”.

“Aplikuesit, për ta përmbyllur me sukses procesin, duhet të ngarkojnë në formularin e aplikimit vetëm dokumentet që gjenerohen nga institucione private apo vetëdeklarime”, tha ajo.

Drejtoresha e AKSHI-t theksoi se “përgjatë muajit dhjetor kemi zhvilluar trajnime për punonjës të administratës, të cilët para reformimit të shërbimeve kanë qenë pjesë e sporteleve fizike duke i trajnuar ata që të asistojnë drejtpërdrejt personat që paraqiten në sportel për t’u regjistruar apo identifikuar në platformën e-Albania, si dhe për të dërguar aplikimin online përmes saj”.

“Të gjithë punonjësit e administratës në sportel po udhëzojnë e ndihmojnë qytetarët dhe bizneset që kanë paqartësi, në një fazë tranzitore, e cila besojmë se do të mbyllet brenda dy muajsh”, tha ajo.

Nga ana tjetër, Karçanaj tha se “ata janë të mirëpërgatitur që të sigurojnë dokumentacionin shoqërues shtetëror të qytetarit në dosjen e tij të aplikimit”. “Thënë ndryshe, ata kanë rolin pritës të aplikimit online, por edhe të koordinuesit me institucionet e tjera për të siguruar, gjithnjë online, dokumentacionin shtetëror që i nevojitet aplikuesit”, theksoi ajo.

Në përfundim, Karçanaj përgëzoi punonjësit IT të AKSHI-t, të cilët po luajnë një rol jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm në këtë proces, duke asistuar çdo ditë institucionet ku janë të atashuar në çdo vështirësi, paqartësi apo problematike që mund të shfaqet në këtë proces.