Shkarkimi i Metës/ Nga debatet te ndërprerja e mbledhjes çfarë ndodhi në seancë. Pse u rrëzuan nga Kushtetuesja kërkesat e paraqitura nga përfaqësuesit e presidentit

Gjykata Kushtetuese nisi këtë të martë shqyrtimin e vendimit të kuvendit për shkarkimin nga detyra të presidentit të Republikës z.Ilir Meta për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Kreu i Shtetit Ilir Meta kishte zgjedhur të mos përballej me shtatë gjyqtarë kushtetues të cilët i akuzon për njëanashmëri në proces, ndonëse dështoi në tentativën e tij që ata të hiqnin dorë apo të përjashtoheshin nga procesi, përderisa kërkesat e paraqitura nga përfaqësuesit ligjorë të presidentit u rrëzuan si të pabazuara, vendime këto të marra unanimisht.

Në vijim, Taulant Balla dhe Klotilda Bushka paraqiten parashtrimet e tyre dhe argumentuan se Kreu i Shtetit e shkeli rëndë aktin themeltar të shtetit, pasi para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit ai u përfshi aktivisht në politikë duke sulmuar dhe institucionet kushtetuese. Sipas tyre presidenti me sjelljen dhe veprimet e tij dëmtoi imazhin e vendit.

Seanca plenare u ndërpre më pas për dy orë, me qëllim që Kuvendi tu përgjigjej 50 pyetjeve të relatorit të çështjes dhe gjyqtarëve kushtetues.

Në rinisje Erind Mërkuri, u paraqit në cilësinë e përfaqësuesit të Kuvendit, sipas një autorizimi të kryetares së Kuvendit. Por, pala e presidentit e kundërshtoi ashpër, me argumentin se Mërkuri ka qenë ekspert i pavarur në Komisionin hetimor parlamentar dhe ardhja si përfaqësues ligjor, sipas Bledar Dervishaj, dëshmon se procesi ndaj Metës ka qenë tërësisht politik.

Seanca plenare, e cila nisi që në orën 10:00 u ndërpre disa herë më qëllim që t’u jepej përgjigje kërkesave paraprake të bëra nga ekipi mbrojtës i Presidentit.

Kushtetuesja rrëzoi si të pabazuar kërkesën për heqje dorë të gjyqtarëve, duke arsyetuar se asnjëri prej tyre nuk është në konflikt interesi.

Përfaqësuesit e z. Meta pritet të japin shpjegimet e tyre në seancën e së enjtes, ndërsa Bledar Dervishi në dalje të gjykatës tha se Ilir Meta nuk mund të shkarkohet.

Ilir Meta u shkarkua nga Kuvendi si president i Republikës, me 104 vota pro, për shkelje të rëna të Kushtetutës. Por ky vendim duhet miratuar nga Kushtetuesja, në të kundërt presidenti nuk konsiderohet i shkarkuar.