Rinis me debate seanca për shkarkimin e Metës, Presidenca kundërshton përfaqësuesin ligjor të kuvendit (EMRI)

Ka rinisur me debate seanca në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, pasi kuvendi autorizoi Erind Mërkurin si përfaqësues ligjor në këtë seancë.

Përfaqësuesi ligjor i Metës, Bledar Dervishaj ka kundërshtuar Mërkurin, përshka se ai ka qenë ekspert i pavarur në Komisionin Hetimor.

“Autorizimi i Merkurit perben nje tjeter shqetesim per Presidencen, pasi ne Komision Hetimor kuvendi e ka thirrur Merkurin si ekspert te pavarur. Kjo deshmon se si ne te vertet ka qene ai proces. Nuk ka list te parimeve qe nuk eshte shkelur”, tha Dervishaj në seancë.

Ne lidhje me keto pretendime, i eshte kunderpergjigjur menjehere, Klotilda Bushka: “Merkuri eshte marr si ekspert i te drejtes nuk ka shprehur mendime personale. Dhe sot ne natyren e autorizimi eshte vetem per te bere komente ne ligjin e se drejtes.”

Rikujtojmë se në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet këtë të martë seanca maratonë për çështjen e shkarkimit te Presidentit të Republikës, Ilir Meta, nga Parlamenti i kaluar, me akuzat se ka shkelur rëndë kushtetutën.

Vetë Meta nuk ka qenë i pranishëm ditën e sotme në seancën që po zhvillohet në GJK, por e përfaqësojnë Bledar Dervishaj, përfaqësues ligjor, dhe Katrin Treska, drejtoresha juridike.

Në nisje te seancës, përfaqësuesi i Presidencës kërkoi ndryshimin e trupës gjykuese përshkak se disa prej anëtarëve kanë konflikt interesi dhe disa të tjerëve ju ka mbaruar mandati. Meta tha në seancën që po zhvillohet për shkarkimin e tij se gjyqtarët Vitore Tusha, Fiona Papajorgji dhe Kalo të japin dorëheqjen sepse sipas tij nuk janë të paanshëm. Këtë kërkesë të tij, përfaqësuesja e Kuvendit Klotilda Bushka e quajti një pretekst për të zvarritur procesin.  Trupa gjykuese vendosi të rrëzojë këtë kërkesë të Presidentit.

Më tëj, Presidenca kërkoi që të përjashtohen përfaqësuesit e Kuvendit, nga seanca e sotme. Sipas përfaqësuesit ligjor të presidentit Meta, kryetarja e një legjislature të re, si rasti i kryeparlamentares Lindita Nikolla, nuk mund të vazhdojë një vendim të lënë nga legjislatura e mëhershme. Në lidhje me këtë kërkesë, GJK tha se do t’i lexoje pretendimet në vendimin përfundimtar.

Së fundmi, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë ngritur 70 pyetje në total për përfaqësuesit e Presidencës dhe për ata të kuvendit. Mes pyetjeve që vlen të theksojmë është se mazhoranca duhet të japë “llogari” dhe të na tregojë me fakte shkeljet e Ilir Metës mes tyre edhe përfshirjen e tij në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Rikujtojmë se përplasja Rama-Meta kulmoi pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit. Menjëherë pasi Rama kishte siguruar mandatin e tretë, ai tha se Presidenti do të shkarkohet për shkelje të rëndë të kushtetutës, gjë të cilën arriti ta finalizonte dhe falë votave të opozitës së re.