Shkeli masat anti-Covid/ Shqipëria shpall “non grata” diplomatin rus: Të largohet brenda 72 orësh!

Burimet bëjnë me dije se diplomati rus ka thyer disa herë karantinën.

Shkelja e masave anti-Covid i ka kushtuar shtrenjtë diplomatit rus në Shqipëri, Alexey Krivosheev.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme shqiptare njoftoi se që prej muajit prill 2020 ka patur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme, mbi shkeljet e hapura të masava të marra nga ana e një diplomati të Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, ndaj ka vendosur shpalljen e tij “non grata”, me detyrimin që të largohet për 72 orë.

Me këtë vendim Ministria e Jashtmë Shqiptare shënon një precedent botëror në raportet diplomatike.

Përfaqësues të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë kontaktuar me ambasadorin e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, Mihail Afanasiev, duke i bërë me dije shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të masave anti-Covid19 nga diplomati.

Burimet bëjnë me dije se diplomati rus ka thyer disa herë karantinën.

“MEPJ ka mirëpritur dhe e vlerëson thellë rolin plotësisht bashkëpunues të ambasadorit për këtë çështje, me premtimin se këto akte nuk do të përsëriten. Fatkeqësisht, ndryshe nga premtimet, diplomati ka vijuar me shkeljen e masave, pavarësisht shprehjes së dëshirës së mirë të të dyja palëve për mos përsëritjen e shkeljeve.”

Në qëndrimin e saj, Ministria e Jashtme shqiptare shprehet se sfidimi i përsëritur i rregullave dhe masave mbrojtëse ndaj pandemisë, dhe shpërfillja e shqetësimeve të institucioneve të shtetit shqiptar lidhur me to, nuk mund të justifikohen e nuk mund të tolerohen më tej, transmeton oranews.

 “Me keqardhje, Qeveria Shqiptare ka marrë vendimin të shpallë “Person NON Grata” (person të padëshirueshëm), diplomatin Alexey Krivosheev, me detyrimin që të largohet brenda 72 orësh nga momenti i dhënies së njoftimit zyrtar”.

Ministria e Jashtme shprehet në fund se uron që ky vendim i imponuar nga mosrespektimi i ligjeve dhe rregullave të shtetit shqiptar, në një kohë kaq sfiduese për të gjithë globin, do të mirëkuptohet plotësisht nga pala ruse, ndërsa e siguron atë për ndjenjat miqësore dhe gatishmërinë për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve.