Pandemia redukton veset e shqiptarëve! Shifrat e doganave: Kafja, birra dhe cigaret, rekord minimal importesh gjatë 2020-ës

Madje, për kafe, shifra e importeve, prej 8162 ton, është më e ulta që prej vitit 2014.

Pandemia duket se ka reduktuar disa prej “veseve” të shqiptarëve, të cilat lidhen ngushtë edhe me shëndetin.

Sipas buletinit të fundit fiskal të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për periudhën janar-dhjetor të vitit 2020, pra vitit të pandemisë, sasia e importuar e mallrave të akcizës ka rënë ndjeshëm për produktet: “kafe”, “birrë” dhe “cigare”.

Madje, për kafe, shifra e importeve, prej 8162 ton, është më e ulta që prej vitit 2014. Asokohe, importet ishin në 7412 ton, ndërkohë që të gjitha vitet më pas shifra ka qenë më e lartë.

Në rastin e cigareve, shifra e importeve, prej 2714 ton gjatë 2020-ës rezulton më e ulta që prej vitit 2015, kur fiksohej në 2478 ton.

Për birrën ndërkohë, me 41,988,000 litra import gjatë 2020-ës, shifra është më e ulta që prej vitit 2016, kur ishte në rreth 31 milionë litra.