Shkolla Maarif në Maqedoninë e Veriut organizon online ceremoninë e diplomimit

Përveç mësimdhënësve, drejtuesve dhe nxënësve të suksesshëm, pjesëmarrësit e tjerë morën pjesë në program përmes video-konferencës

Ceremonia e diplomimit në shkollat e Fondacionit Maarif të Turqisë (TMV) në Maqedoninë e Veriut, e cila organizohet çdo vit, këtë vit u realizua përmes video-konferencës për shkak të masave kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet në një njoftim nga Fondacioni Maarif në Maqedoninë e Veriut, programi i diplomimit, i përgatitur për maturantët e vitit shkollor 2019-2020 në Shkollën Ndërkombëtare Maarif (Maarif International Schools) në Tetovë të cilët gjatë pandemisë mësimin e vijuan online, u organizua në amfiteatrin e shkollës me pjesëmarrje të kufizuar të mësimdhënësve, drejtuesve dhe nxënësve të suksesshëm, duke u respektuar të gjitha masat mbrojtëse.

Pjesëmarrësit e tjerë kishin mundësi që në program të marrin pjesë online.

Në program u ndanë certifikata për liderë, certifikata për nxënësit e suksesshëm, certifikata në lëndën e artit, certifikata për aftësi gjuhësore dhe certifikata për aftësi të tjera.

Duke folur në program, drejtori i shkollës, Ali Sedat Aslan, tha se gjatë pandemisë, nxënësit e kanë vazhduar pa pengesa procesin arsimor. Ai tha se qëllimi i tyre me programin e organizuar ka qenë që maturantët ta shijojnë ndjenjën e diplomimit.

“Sot po e lëmë mbrapa një vit shkollor të vështirë. Unë falënderoj mësimdhënësit që ndihmuan nxënësit tanë si gjatë periudhës së arsimit të drejtpërdrejtë, ashtu edhe gjatë periudhës së arsimit nga distanca, si dhe familjet që ofruan çdo lloj mbështetjeje për nxënësit”, tha Aslan.

“Ne tani po përjetojmë një nga shembujt më të bukur të faktit që pas çdo vështirësie na pret një lehtësim…Ne si Shkolla Maarif gjithnjë jemi pranë nxënësve tanë dhe do të vazhdojmë t’i duam ata pa kushte”, shtoi ai.

Programi përfundoi me vendosjen e emrave të nxënësve të suksesshëm në trungun tradicional të Shkollës Maarif.