Shkup, hapet qendra ditore për personat me sindromën Down

Kjo është qendra e parë ditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila ka kapacitet të shërbejë 30 persona

Në Maqedoninë e Veriut është hapur qendra e parë ditore për personat me sindromën Down, e cila ka hapësirë të mjaftueshme për t’u kujdesur për 30 fëmijë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në evenimentin e hapjes së qendrës ditore, përpos fëmijëve dhe personave me sindromën Down, të pranishëm ishin edhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, Zonja e Parë e Maqedonisë së Veriut, Elizabeta Pendarovska, përfaqësues të institucioneve tjera kompetente dhe të organizatave joqeveritare.

Ministrja Carovska në deklaratën e saj për media tha se ndërtimi dhe hapja e kësaj qendre tregon se rezultatet mund të arrihen vetëm me kyçjen aktive të të gjitha palëve.

“Kemi investuar 6.5 milionë denarë (rreth 105.000 euro) për pajisjen dhe rikonstruimin e saj. Organizatat qytetare, mes të cilave edhe shoqata e prindërve me sindromën Down, morën pjesë në dizajnimin, krijimin dhe përmbushjen e standardeve”, tha Carovska, duke shtuar se ky fakt jep shpresë se kjo qendër do të përmbushë nevojat e personave me sindromën Down.

Ajo u bëri apel të gjithë qytetarëve vullnetmirë që të bashkangjiten në mirëmbajtjen e kësaj qendre.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, në deklaratën e tij u shpreh se ndjehet posaçërisht krenar që Qyteti i Shkupit merr pjesë në këtë risi në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se Qyteti i Shkupit financiarisht e ka ndihmuar këtë projekt për të dytin vit me radhë përmes shoqatës së prindërve të fëmijëve me sindromën Down.

“Kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi unë besoj fuqishëm në politikat e inkluzivitetit. Besoj se çdo segment i shoqërisë sonë, të gjithë qytetarët në shoqërinë tonë meritojnë shanse të njëjta”, tha Shilegov.

E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe Zonja e Parë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Pendarovska, e cila në emër të saj dhe në emër të presidentit Stevo Pendarovski përshëndeti hapjen e kësaj qendre.

Edhe Pendarovska bëri apel për pjesëmarrje të vullnetarëve në punën e qendrës, duke theksuar se sa më shumë që punohet me fëmijët me sindromën Down, aq më shumë vijnë në shprehje talentet e tyre.

Pas deklaratave për media, shoqata e prindërve të fëmijëve me sindromën Down ndau mirënjohje për institucionet që kontribuan në hapjen e kësaj qendre, ndërsa fëmijët me sindromën Down falënderuan të pranishmit përmes vallëzimit të përbashkët të përgatitur enkas për këtë eveniment.

Objekti është i pajisur me hapësira për pushim, argëtim dhe sport për personat me sindromën Down.

Qendra do të jetë e hapur çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në orën 20:00, ndërsa ka ekip profesional për përkujdesje ku përfshihet pedagogu, psikologu, defektologu dhe kujdestarja.