TIKA shtron iftar në Shkup

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se TIKA me projektet e saj në shumë sfera kontribuon në Maqedoninë e Veriut

Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) shtroi iftar në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).

Në iftarin e organizuar morën pjesë Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ministra të kabinetit qeveritar, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi, Ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, deputetë, krerë të partive politike, përfaqësues të institucioneve turke në vend si dhe shumë të ftuar.

Pendarovski, në fjalimin e tij të mbajtur para të pranishmëve, tha se vendi i tij si shtet social, synon zhvillimin e drejtësisë sociale, mirëqenies ekonomike si dhe të jetesës individuale dhe të përbashkët të qytetarëve të saj.

Ai tha se TIKA me projektet e saj në shumë sfera kontribuon në Maqedoninë e Veriut. “TIKA me kalimin e viteve u bë simboli i frymës së solidaritetit dhe shpërndarjes turke, dhe këtë qasje e shfaqën jo vetëm ndaj turqve ose muslimanëve por të gjithë qytetarëve të mi pa marrë parasysh përkatësin e tyre etnike, fetare ose gjuhësore”, theksoi presidenti Pendarovski.

Ndërsa ambasadorja Kara, rikujtoi se TIKA që nga viti 2005 kur ka filluar të shërbejë në këtë vend ka realizuar rreth 1000 projekte.

“TIKA edhe në periudhën e ardhshme do të intensifikojë projektet e saj për të kontribuar në zhvillimin dhe mirëqenien e vendit mik dhe vëlla, Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Kara.

“Dua të theksoj se do të vazhdojmë luftën tonë me të gjitha organizatat terroriste përfshirë edhe FETO-n, dhe se i besojmë mbështetjes së Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim”, tha ndër të tjera ambasadorja turke.

Koordinatori i TIKA-s në Shkup, Aytekin Ayden, theksoi se TIKA me të kuptuarit e saj të cilën në fokus e ka njeriun dhe të sinqertë ka dhënë një perspektivë të re në fushën e “Zhvillimit dhe bashkëpunimit”.

“Sot TIKA prodhon projekte në 61 zyra të 59 vendeve të ndryshme dhe në mbi 170 vende të botës, ndërsa në Maqedoninë e Veriut që nga viti 2005 ka zhvilluar rreth 1000 projekte me vlerë prej 100 milionë dollarë”, theksoi ai.