Shkup, shtrohet iftar në organizim të bankës turke “Halkbank”

“Në këto kohë të trazuara, kur në shumë vende në botë ksenofobia dhe islamofobia janë në rritje, ne në nuk jemi tërhequr nga vlera jonë më e madhe, që është tradita e bashkëjetesës”, deklaroi Pendarovski

Banka turke Halkbank ka shtruar iftar në Shkup, ku morën pjesë krerët shtetërorë dhe personalite të shumta nga jeta publike, raporton Anadolu Agency (AA).

Në iftarin e mbrëmjes së kaluar, të pranishëm ishin presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ambasadorja turke në Shkup, Tülin Erkal Kara, kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, Sulejman Rexhepi, drejtori i përgjithshëm i bankës “Halkbank” nga Turqia, Osman Arslan, drejtori i përgjithshëm i “Halkbank SHA Shkup”, Bilal Sucubaşı, ministra, deputetë, krerë të partive turke në vend, përfaqësues të institucioeve dhe organizatave turke në vend, biznesmenë dhe një numër i madh i mysafirëve të ftuar.

Në fjalën gjatë programit të iftarit, presidenti Pendarovski tha se Maqedonia e Veriut nuk do të tërhiqet nga vlera më e madhe e saj, që është, theksoi ai, tradita e bashkëjetesës dhe respekti i diversitetit.

“Në këto kohë të trazuara, kur për fat të keq në shumë vende në botë ksenofobia dhe islamofobia janë në rritje, ne në Maqedoninë e Veriut nuk jemi tërhequr nga vlera jonë më e madhe, që është tradita e bashkëjetesës dhe respekti i diversitetit. Ky përfitim tregon qartë se ne jetojmë sipas parimeve evropiane dhe se vendi është brenda familjes së kombeve dhe shteteve evropiane”, deklaroi Pendarovski.

Ai theksoi se prioritet i tij si president i Maqedonisë së Veriut është të kontribuojë në pajtimin qytetar, që do të thotë “të jetojmë së bashku me dallimet më të thella politike, ashtu siç dinë se si të jetojnë me dallimet më thella fetare dhe etnike”.

Presidenti Pendarovski iu referua edhe marrëdhënieve midis Turqisë dhe vendit të tij, duke theksuar se në botë nuk ekziston miqësi më e ngushtë nga ajo midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Jam absolutisht i bindur se në botë nuk ka miqësi më të ngushtë, as edhe vëllëzëri të asaj që ekziston midis vendeve dhe kombeve tona, por nëse ekziston qoftë edhe një mundësi e vogël që ajo afërsi të shkëlqyer të jetë edhe më mirë, ju garantoj se do të bëj gjithçka që ajo të jetë ashtu”, theksoi Pendarovski.

Ndërkaq, ambasadorja turke, Kara, theksoi se gjithmonë dëshiron që miqësia e mirë midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.

“Ne kemi dëshirë, ne gjithmonë e duam këtë. Turqia dhe Maqedonia e Veriut ndërtuan një urë të shkëlqyer. Midis dy vendeve u krijua një miqësi e mirë. Dhe, ajo vazhdon nëpër histori. Në duart tona është që kjo miqësi të vazhdojë edhe në periudhën që është para nesh. Ne themi, ejani së bashku të bëjmë gjithçka që t’i zhvillojmë këto shoqëri”, tha ambasadorja Kara.

Drejtori i bankës “Halkbank”, Arslan, në fjalën e tij bëri të ditur se Halkbank këtë vit shënon 81-vjetorin e ekzistencës. Ai po ashtu theksoi se kjo bankë sa i përket aktiviteteve të përgjithshme është e renditur e treta, ndërsa sa i përket vëllimit të kredive dhe depozitave në para është e dyta në Turqi.

“Halkbank SHA Shkup, e cila për kohë të shkurtë u bë banka më e shpejtë në zhvillim, njëkohësisht ka rritur numrin e zyrave të pajisura me teknologji moderne nga 21 në 41. Që nga tre mujori i parë i vitit 2019, banka jonë vazhdon me aktivitetet e saj në Maqedoninë e Veriut me gjithsej 540 punonjës”, tha Arslan.

Drejtori i “Halkbank SHA Shkup, Sucubaşı, theksoi se pavarësisht nga risitë dhe tendencat bankara, Halkbank përpiqet të jetë shtëpia e dytë e konsumatorëve, ku do të ndihet ngrohtësia e një buzëqeshjeje dhe një bisede të mbushur me respekt dhe dashamirësi.