Shkupi dhe Sofja nënshkruajnë protokollin bilateral, Varhelyi: I hap rrugë anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi përshëndeti nënshkrimin e protokollit për kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes.

“Përshëndes Protokollin Bilateral të nënshkruar midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo i hap rrugën #CZPRES për të mbledhur IGC-në e parë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në. Europa ecën përpara! #Së bashku më të fortë”, shkruan Varhelyi.

Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, nënshkruan të dielën në Sofje protokollin që parasheh procedurat dhe dinamikën e kapërcimit të dallimeve mes tyre, që janë pjesë e propozimit francez. Përmbajtja e protokollit nuk është publikuar.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se kanë pasur bisedë konstruktive dhe thelbësore për punën e pesë grupeve dhe, sipas tij, në protokoll shihet se është bërë shumë dhe secili që është përfshirë ka investuar sa më shumë që të ketë projekte, memorandume dhe dokumente që forcojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Sipas Osmanit, një kapitull i ri me qëllim që bashkëpunimi të jetë më i ngushtë dhe i bazuar në besim.

Ministrja e Jashtme të Bullgarisë, Teodora Gençovska, tha se takimi ka qenë i dobishëm dhe është shënuar përparim në të gjithë sektorët.

Sipas saj, “tani mbetet të përmbushet ajo që është rënë dakord, që kërkon angazhim serioz nga të dyja vendet”.

Gençovska tha se Bullgaria është vendi që mbështet fuqishëm integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kuvendi maqedonas miraton propozimin francez, javën e ardhshme hapen negociatat
Me nënshkrimin e protokollit hapet rruga për mbajtjen e konferencës së parë politike ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Komisioni i përbashkët ndërqeveritar është pjesë e detyrimeve që dalin nga Traktati i Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2017.

Nënshkrimi i protokollit vjen një ditë pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez, që i hap rrugë integrimit të Shkupit në BE. Pas miratimit, zyrtarët e BE-së paralajmëruar se negociatat për anëtarësim në bllok për Shkupin dhe Tiranën do të hapen javën e ardhshme.

Për gati dy vjet, Bullgaria, shtet anëtar i BE-së, mbajti në fuqi veton për nisjen e negociatave mes bllokut dhe Shkupit, për shkak të mospajtimeve sa i përket historisë dhe gjuhës maqedonase.