Shqipëri, 5 të vdekur dhe 140 raste të reja me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke iu referuar të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar se numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në Shqipëri është rritur në 6.676 dhe numri i të vdekurve në 205

Në Shqipëri janë regjistruar 140 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19) dhe 5 persona kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke iu referuar të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka njoftuar se numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në Shqipëri është rritur në 6.676 dhe numri i të vdekurve në 205.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 603 testime për të dyshuar të prekur nga COVID-19 dhe rastet e reja pozitive janë regjistruar në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit.

Ndërkohë janë shëruar 101 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në gjithsej 3.480 dhe rastet aktive janë 2.991.

Në Shqipëri janë kryer gjithsej 47.051 testime dhe ISHP vazhdon punën në terren për testimet ndaj personave të dyshuar me koronavirus.