Kosovë, 13 të vdekur dhe 171 raste të reja me COVID-19

Bazuar në të dhënat e IKSHPK-së, 171 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, me çka numri i përgjithshëm i tyre ka shkuar në 10.590...

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit 13 persona të tjerë të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur, duke e çuar në 354 numrin e përgjithshëm të viktimave nga ky virus në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), 171 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, me çka numri i përgjithshëm i tyre ka shkuar në 10.590.

Rastet e reja pozitive janë nga komuna të ndryshme të Kosovës nga të cilat me numër më të madh janë regjistruar në Komunën e Prishtinës.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 463 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga 8 shkurti deri më tani janë testuar gjithsej 41.615 mostra.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 190 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani është gjithsej 6.248 raste, kurse ai i rasteve aktive 3.988.