Shqipëri, disa persona ndalojnë të rinjtë nga Kosova në mes të rrugës dhe ua grabisin veturën “Audi Q7”

Një ngjarje e rëndë është shënuar në aksin rrugor Milot-Rrëshen në Shqipëri. Policia njofton se persona të paidentifikuar kanë ndaluar një makinë tip “Audi” ku udhëtonin dy të rinj kosovarë dhe i kanë marrë mjetin e janë larguar.

“Në aksin rrugor Milot-Rrëshen, persona ende të paidentifikuar, të cilët udhëtonin me mjet tip “BMW ” , i kanë bërë shenjë ndalimi mjetit tip “Audi” me drejtues shtetasin M.A., 21 vjeç dhe pasagjer shtetasin F.M., 21 vjeç, banues në Kosovë, ku pasi kanë ndaluar , ju kanë marrë automjetin dhe janë larguar.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për fiksimin e çdo provë të vlefshme që do ti shërbejë hetimit, për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e dokumentimin e kësaj ngjarje”, bën me dije policia.

Ndërkohë paraprakisht dyshohet se shtetasit kosovarë kanë deklaruar se autorët nuk kanë ushtruar dhunë ndaj tyre dhe se ata nuk kanë qenë të armatosur.

Policia ka bërë të mundur shoqërimin në komisariat të disa shtetasve, që mund të kenë dijeni për ngjarjen, si dhe janë sekuestruar pamje filmike, si dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje, me qëllim  kapjen e autorëve.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vijon puna për zbardhjen e dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje./TCH