Shqipëria e 115-a në botë për nga fuqia ushtarake

Indeksi i Fuqisë Globale 2022, i hartuar nga Global Fire Power e rendit Shqipërinë në vendin e 115-të, nga 140 shtete të marra në studim, sa i përket fuqisë së tyre, ushtarake dhe njerëzore.

Krahasuar me studimin e një viti më parë, Shqipëria është përkeqësuar me dhjetë shkallë, në 2021 renditej e 105-a në botë dhe e parafundit në rajon. Studimi i vitit 2022 e nxjerr Shqipërinë me një pikësim prej 3.0023

Shqipëria renditet më lart se disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, por garën rajonale e fiton Serbia, e pozicionuar 54 shkallë më lart se sa vendi ynë. Kroacia sakaq renditet e 62-ta në total sipas studimit, Bosnja e Hercegovina renditet në vendi e 123-të ndërsa Mali i Zi në vendin e 131 dhe Maqedonia në vendin e 134-të.

Kosova është përfshirë në studim vitet e fundit dhe renditet e 139-ta nga 140 shtete të marra në konsideratë, ka lënë pas vetëm Butanin, i fundi në listën e këtij studimi.

Indeksi është hartuar në bazë të një metodologjie komplekse, e cila merr në konsideratë më shumë se 50 faktorë të ndryshëm. Në veçanti shihet në këtë studim: numri i ushtrisë, numri i tankeve, anijeve, avionëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, niveli i financimit të sferës ushtarake, infrastruktura e transportit të vendit, qasja në produktet e naftës dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në aftësinë luftarake të ushtrisë. Duhet theksuar se Indeksi nuk përfshin armët bërthamore.

Indeksi hartohet nga Global Fire Power, e njohur për publikimet statistikore në fushën e ushtrisë, logjistikës, resurset natyrore dhe ato financiare etj.

Sipas të dhënave specifike të këtij indeksi, Shqipëria vitin e fundit buxhetin financiar të alokuar mbrojtjes e kishte 192’400 mijë dollarë, më pak se Serbia, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia.

Në vendet me ushtritë më të fuqishme të botës, sipas listës, përfshihen SHBA, Rusia, Kina, India, Britania e Madhe, Franca, Italia, Koreja e Jugut, Gjermania, Brazili, Japonia, Turqia.

Në vendet e fundit sipas renditjes janë:  Butan, Kosova, Sierra Leone, Somalia etj.