Shqipëria grumbullon nivele të larta të taksave të mjedisit në krahasim me vendet në zhvillim

Shqipëria nuk ka imazh të mirë në menaxhimin e çështjeve mjedisore, por nga ana tjetër renditet ndër vendet që ka arkëtime të larta të taksave të mjedisit në raport me PBB në krahasim me vende si Turqia, Polonia, Hungaria apo Bullgaria (shih grafikun bashkëngjitur).

Sipas një krahasimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria grumbullon rreth 3,3% të PBB-së nga taksat e mjedisit.

Polonia p.sh., grumbullon vetëm 2.3% të PBB-së taksa mjedisore; në nivelet rreth 2% arkëtojnë edhe Bullgaria, Hungaria, Rumania, Turqia. Ndërsa Maqedonia e Veriut, që ka kushte zhvillimi pak a shumë të ngjashme me Shqipërinë arkëton taksa mjedisore vetëm sa 0.7% e PBB-së.

Sipas INSTAT, në 2019, të ardhurat nga taksat mjedisore arritën në vlerën e rreth 53 miliardë lekë (430 mln euro) , duke u rritur me 4,4%, krahasuar me vitin 2018. Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga rritja e të ardhurave nga taksat e energjisë.

Nga struktura e të ardhurave të taksave mjedisore, taksat e energjisë zënë pjesën më të madhe të të ardhurave me 84,55%, pasuar nga taksat e transportit 10,42%, taksat e ndotjes me 4,91% dhe taksat e burimeve natyrore me 0,11 %.

Gjatë vitit 2019, të ardhurat nga taksat e ndotjes janë rritur me 17,91%, ndërkohë që të ardhurat nga taksat e burimeve natyrore janë rritur me 4,94 %. Gjatë së njëjtës periudhë, të ardhurat nga taksat e transportit janë rritur me 4,21%, kurse të ardhurat nga taksat e energjisë janë rritur me 3,78%.

Të ardhurat nga taksat mjedisore, në vitin 2019, përbëjnë 12,53% të të ardhurave tatimore gjithsej dhe kontributeve shoqërore duke pësuar një rritje me 0,33 pikë përqindje, krahasuar me 2018.

Taksat mjedisore konsiderohen si një instrument ekonomik për të kontrolluar ndotjen dhe menaxhimin e burimeve natyrore dhe ato janë konceptuar për të ndikuar në sjelljen e bizneseve, prodhuesve dhe konsumatorëve. Taksat mjedisore janë pjesë e llogarive ekonomike në mjedis, pjesë e një sistemi satelitor të Llogarive Kombëtare.

Shqipëria ka katër grupe taksash mjedisore:

  1. Taksat e energjisë

Taksat e energjisë (duke përfshirë karburantin e makinave) përfshijnë taksat mbi prodhimet e energjisë në vend, si dhe prodhimet e energjisë që përdoren edhe për qëllime të transportit. Këtu përfshihen edhe tatimet mbi bio-karburantet dhe format e tjera të energjisë nga burimet e rinovueshme, si dhe taksat mbi rezervat e produkteve të energjisë.

  1. Taksat e Transportit

Taksat e transportit (me përjashtim karburantin e makinave) i referohen kryesisht taksave të lidhura me pronësinë dhe përdorimin e automjeteve. Këto taksa përfshijnë edhe taksat mbi mjetet e tjera të transportit (si avionët, anijet dhe trenat, etj ) dhe shërbimet e tyre.

  1. Taksat e Ndotjes

Taksat e ndotjes përfshijnë emetimet e matura në ajër dhe shkarkimet në ujë, menaxhim të mbetjeve të ngurta dhe zhurmës etj. Përjashtohen këtu tatimi mbi emetimin e CO2, i cili mbulohet nga kategoria taksave të energjisë.

  1. Taksat e Burimeve Natyrore

Taksat e burimeve natyrore përfshijnë taksat për nxjerrjen apo shfrytëzimin e burimeve natyrore (ujë, pyje, kafshë të egra, etj.