Shqipëria, ndër shtetet themeluese të strukturës më të re të aleancës së NATO-s

Për palën shqiptare në emër të Ministrisë së Mbrojtjes marrëveshja u nënshkrua nga përfaqësuesi Ushtarak Kombëtar në SHAPE, ACO kolonel Petrit Çuni...

Në Komandën Supreme të Aleancës, ACO SHAPE Mons, Belgjikë, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Krijimit të Komandës së re të NATO, Joint-Force Command Norfolk, ku morën pjesë komandanti Suprem i Aleancës në Evropë (SACEUR), gjeneral Tod D. Wolters (US AIRFORCE), shefi i Shtabit të ACO Admiral Joachim RÜHLE (DEU Army) dhe përfaqësuesit ushtarakë kombëtarë të shteteve pjesëmarrëse në këtë komandë, në SHAPE.

Për palën shqiptare në emër të Ministrisë së Mbrojtjes marrëveshja u nënshkrua nga përfaqësuesi Ushtarak Kombëtar në SHAPE, ACO kolonel Petrit Çuni.

Në fjalën e rastit komandanti i JFCNF duke falënderuar SACEUR, gjeneral Tod D. Wolters dhe përfaqësuesit ushtarakë kombëtarë, në mes të tjerave u shpreh:

“…Roli i Shqipërisë në këtë komandë është domethënës duke kontribuar me dy oficerë në shtabin e kësaj komandë, krah për krah aleatëve tanë; SHBA, Gjermani, Turqi, Mbretërisë së Bashkuar, Itali, Kanada, Francë, Danimarkë, Greqi, Norvegji, Spanjë, Poloni, Islandë, Rumani dhe Bullgari.Nënshkrimi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi shënon suksesin e përpjekjeve të mëdha të ndërmarrë nga NATO dhe vendet anëtare të saj për të riorganizuar Aleancën në mënyrë që të ruajmë paqen dhe prosperitetin e vendeve dhe popujve tanë…”.

Në përfundim duke vlerësuar rëndësinë që ka krijimi i kësaj komande, komandanti i JFCNF e mbylli fjalimin duke cituar fjalimin e ish-presidentit të SHBA Harry Truman, gjatë nënshkrimit të Traktatit të Uashingtonit, Traktati i Atlantikut të Veriut: “Për të krijuar një mburojë kundër agresionit dhe frikës nga agresioni, një mbrojtje, e cila do të na lejojë të vazhdojmë biznesin real të qeverisë dhe shoqërisë, biznes i arritjes së plotë i një jetë më të lumtur për të gjithë qytetarët tanë”.

Ndërsa, Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka deklaruar se Forcat e Armatosura shqiptare do të kontribuojnë me 2 oficerë në Komandën e Forcës së Bashkuar.

“Shqipëria është krenare që është ndër shtetet themeluese të strukturës më të re të NATO-s, Joint-Force Command në Norfolk të SHBA-ve”, tha Xhaçka.

Po ashtu, ministrja Xhaçka shtoi se: “Forcat e Armatosura shqiptare do të kontribuojnë me 2 oficerë në Komandën e Forcës së Bashkuar, që ka për qëllim mbrojtjen e linjave të komunikimit strategjik të Atlantikut të Veriut dhe parandalimin nga çdo sulm i mundshëm, nëpërmjet angazhimit të Flotës së 2-të të Marinës amerikane”