Shqiptarët zgjedhin BE-në përpara Amerikës

Në rastin e një konflikti mes SHBA-së dhe BE-së, që nuk ka lidhje me Shqipërinë, shumica e shqiptarëve do të rreshtoheshin në krah të BE-së.

Pak më shumë se gjysma e qytetarëve (56,9%) mendojnë se Shqipëria duhet të pozicionohet pro BE-së dhe rreth një e treta (32,6%) pro SHBA-ve. Vetëm 6% mendojnë se në një konflikt të tillë Shqipëria duhet të jetë neutral.

Rezultatet janë të një vrojtimi të Euronews Albania, mbi pritshmërinë e qytetarëve për anëtarësimin në BE.

Deri në moshën afërsisht 55 vjeç, dy herë më shumë shqiptarë duan rreshtimin në krah të BE-së. Në moshat më të mëdha kjo diferencë ngushtohet dhe në moshën mbi 65 vjeç diferenca zvogëlohet ndjeshëm, duke treguar relativisht më shumë anësi nga SHBA-të në krahasim me moshat e tjera.

Gjetjet janë rezultat i anketës për periudhën 20-29 tetor 2021, kryer nga MRB dhe “Data Centrum” në nivel kombëtar me 1000 intervista ballë për ballë.