Siguria për të qenë kriminel

Nga Redi Shehu

Ditë që pasojnë ditë të tjera, ku ngjarje kriminale rreken t’u japin ngjyrë atyre, ndërkohë që konstruksioni i frikës përmasohet bollshëm në atë që duhej të ishte atmosfera e duhur e prosperitet të pritur. Si aspirantë për t’u integruar në botën e vendeve të standardizuara dhe të zhvilluara ekonomikisht, e kuptojmë pa mëdyshje se është tipar i kësaj ekzistence që prosperiteti dhe standardizimi të arrihen vetëm në një mjedis  ku rendi dhe paqja sociale të jenë të garantuara. Për këtë arsye, gjejmë që një ndër pozicionet strategjike të çdo qeverisjeje të jetë edhe ai i Ministrisë së Brendshme, si kujdestare e rendit publik. Është pikërisht ky pozicionim që përbën edhe një ndër pikat më të forta të stafit të çdo qeverisjeje, ngase interesat e secilit janë të lidhura pandashëm me qetësinë.

Fakti është se organet e ruajtjes së rendit në Shqipëri, të mandatuara për të kryer pikërisht këtë detyrë, nuk po arrijnë të listohen në penguesin apo problemin kryesor të keqbërësve. Këto struktura, nuk po arrijnë as edhe në shumë raste të identifikojnë dhe evidentojnë shkaqet dhe individët e kryerjes së veprave me rrezikshmëri sociale, dhe keqbërësi kur kryen aktin e tij, më shumë merakoset për detaje të tjera se sa të menaxhojë frikën ndaj policisë. Pra, kanë dështuar të jenë siguruesi i rregullit social. Askush nuk pretendon që policia të gëzojë aftësi telepatike për të parandaluar kriminelët të bëjnë vepra kriminale, ajo që zgjedhësi pret nga të zgjedhurit e vet, është përgjegjësia në të kuptuarit e amanetit që kanë mbi supe.

Policia e Shtetit  mban përgjegjësi për t’i garantuar qytetarëve të vet një ndër të drejtat themelore universale, të drejtën për të jetuar, për të jetuar në një mjedis social ku të mos kesh frikë t’i ndalesh dikujt që ka uniformë policie, nga frika se nën atë uniformë disa kriminelë serbe-serbes bëjnë punën e tyre, ku të mos kesh frikë se duke pirë kafe në lokalin kryesor të qytetit, apo duke qëndruar tek pragu i derës së shtëpisë,  njeriu të mund të rrëmbehet, mbahet peng e në fund edhe të vritet. Gjëra të tilla ndodhin kudo mund të thotë dikush, por ajo që dallon mjedisin social në vendet e tjera dhe mjedisin social shqiptar në lidhje me rendin dhe sigurinë publike, është rrënimi i autoritetit.

Sot proporcionalisht nga rrënimi i autoritetit të organeve të ruajtjes së rendit, gjithkush mund ta projektojë veten si dhunues, gjuha e forcës e të cilit mund t’i imponohet shoqërisë, ndërkohë që tjetërkund luftohet e punohet pikërisht për të mirëmbajtur dhe forcuar më tepër këtë autoritet dhe duke zvogëluar fenomenin. Ajo që është e rëndësishme në një vend, është fryma e sigurisë për qytetarët dhe e frikës për keqbërësit. Zonat problematike tek ne njihen mjaft mirë nga policia. Kontingjente kriminalë po ashtu.  Sikur policia të mos ishte e implikuar në aktivitete kriminale që fillojnë nga kanabisi dhe mbarojnë tek makinat e vjedhura, krimi do luftohej më konkretisht dhe do ishte më i dekurajuar për te bëre spektakle të tilla  në mes të ditës në rrugët më kryesore të vendit.

E gjitha po ndodh brenda një sigurie të botës kriminale në kryerjen e misionit të vet dhe në të njëjtën kohë duke treguar gjithë rehatinë që ajo zotëron për të guxuar kaq shumë. Në momentin kur krimi e konsideron veten si ushtrues të një misioni, atëherë struktura e tij është aq e stërholluar dhe e fuqishme saqë nuk mund t’ia lejojë vetes të gaboje. Në këtë pikëpamje, ku guximi kapërcen pengesat që pushteti gjithmonë vendos mes tij dhe strukturave shtetërore, të lind një pyetje e cila anon nga presupozimi se guximi i krimit për të goditur kaq fort dhe kaq shpesh, mund  të lidhet me  njohjen dhe afrimitetin.  Pra, pyetja që shtrohet është se a është krimi kaq i sigurte sa të tejkalojë forcat e rendit duke përcaktuar shënjestra të tilla të pamenduara më parë, apo krimi është tashmë në një marrëdhënie intimiteti me pushtetin, sa ia lejon vetes një rehati të tillë sa herë që i prishet qejfi ?

Ne, kemi  guxuar gjithmonë drejt të shëmtuarës , krimit, deformimit. Me pak fjalë, guximi ynë është i  keqadministruar. Guximi për të sfiduar, si gjithmonë nuk është se na ka munguar, sidomos kur bëhej fjalë për kureshtjet kërshëritëse për të eksperimentuar me kufijtë më ekstremë të së mbrapshtës.  E kemi parë këtë shpesh në guximin për të thyer kufijtë  e krimit në familje e më gjëra, e kemi parë në modelimin pervers që i kemi bërë vetë krimit. E tani, jo shumë larg,  shpërthen në formën e një nyjeje të inatosur, revolta për ta zhdukur tjetrin tërësisht edhe përmes kulturës së tritolit.

Nuk di të ketë një mënyrë më alarmuese për qeveritarët shqiptarë për formën se si po merr rendi dhe sigura tek ne. Mediokriteti i politikës sonë vazhdon të ndërtojë imazhin e vet mbi konfliktin dhe nëse përsëri vazhdohet në këtë mënyrë, gjithsecili ka komoditetin për të guxuar në gjërat për së prapthi, se të guxosh drejt virtytit kjo është një punë e lodhshme dhe me sa duket aspak e këndshme.

Justifikimi qeveritar për shtimin e akteve të dhunës, bazohet në një formulë që duket sa e çuditshme po aq edhe e pazbërthyeshme. Ata thonë se shtimi i krimit i dedikohet rritjes së punës së policisë dhe presionit që ajo po i shkakton këtij të fundit. Pra, një soj marketimi nekrologjik ku përmes viktimave dhe dëmeve të nxjerrësh në pah aftësitë dhe sukseset e tua. Nuk është hiç e vërtetë. Sepse kjo formulë do na bënte të mendonim që sa më pak që policia punon, aq më pak krime kemi. Jo vetëm kaq, por pretendimi se krimi rritet sa më shumë të rritet presioni policor, shkon në kundërshtim me çdo praktikë dhe logjikë profesionale.  E kundërta ndodh në realitet,  ku si pasojë e goditjeve apo presionit policor, krimi tkurret apo edhe zvenitet tërësisht. Një tjetër element problematik që haset në deklaratën e Policisë së Shtetit, është se krimi emërtohet dhe konsiderohet si entitet homogjen, kur në fakt ai është i përbërë nga një pafundësi heterogjene individësh dhe grupesh kriminale me cilësi, sjellje dhe shënjestra të ndryshme. E vetmja e përbashkët e këtij heterogjeniteti të krimit aktualisht tek ne, është pikërisht ndjesia e sigurisë për ta bërë krimin, ndjesia në  ekzistencën e depersonalizimit dhe deprofesionalizimit të organeve të ruajtjes së rendit.